Viti shkollor në Maqedoninë e Veriut shtyhet për në tetor

26/08/2020 15:36

Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut nuk do të fillojë më 1 shtator, siç është paralajmëruar më herët, por me një muaj vonesë – më 1 tetor, bëri të ditur i emëruari për kryeministër i këtij vendi, Zoran Zaev.

“Viti shkollor nuk do të fillojë më 1 shtator. Për shkak të përgatitjes së protokolleve shëndetësore, mësimi duhet të nisë më 1 tetor. Vendimi do të merret në seancën e parë të qeverisë, në të cilën do të miratohen edhe ndryshimet ligjore për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, tha Zaev gjatë dorëzimit në kuvend të përbërjes së re të qeverisë, e cila, siç bëhet e ditur, do të votohet deri në fund të javës.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut i ka rekomanduar qeverisë që mësimi nga klasa e parë deri në të tretën të nisë me praninë fizike të nxënësve në shkolla, ndërsa fëmijët që nuk duan të rikthehen në shkolla, mësimin mund ta ndjekin online, paralelisht me nxënësit tjerë me prani fizike.

Për klasat e tjera të arsimit fillor dhe të mesëm, mësimi është paraparë të mbahet online.

Ky rekomandim ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, ndërsa Unioni i Shkollave të Mesme ka paralajmëruar bojkot të mësimit dhe protesta. Nxënësit kërkojnë mësim të kombinuar, me prani në shkollë dhe mësim nga distanca apo online.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se mund të ketë ndryshime nëse gjendja epidemiologjike mbetet stabile.

Megjithatë, Filipçe tha se kthimi i nxënësve në shkolla duhet të bëhet në disa faza, duke u dhënë përparësi fillimisht drejtimeve profesionale, që kanë nevojë për zhvillim të orëve praktike.

Maqedonia e Veriut është njëri nga vendet më të prekura në Ballkanin Perëndimor nga pandemia e koronavirusit.

Mbi 13,800 persona janë infektuar atje dhe mbi 570 kanë humbur jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA