Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për pjesëmarrje në takimet e radhës me palën serbe në Uashington dhe Bruksel si pjesë e delegacionit të qeverisë për dialog.

Hoti sot i ka dërguar ftesë Vetëvendosjes për të qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në takimet e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë dhe atë të 7 shtatorit në Bruksel.

Por, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Përparim Kryeziu thotë se arsyet e refuzimit të ftesës është se Qeveria Hoti nuk ka vija të kuqe për procesin e dialogut dhe nuk ka mbështetje në Kuvend ku është e varur nga Lista Serbe, dhe si e tillë i është nënshtruar Serbisë.

“Në përputhje me qëndrimet tona në raport me këtë qeveri jo legale dhe jo legjitime, për arsyet e lartpërmendura, por jo vetëm, Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka pranuar një letër ftesë nga z. Hoti për pjesëmarrje fillimisht në takimin e 4 shtatorit në Uashington e më pastaj në atë të 7 shtatorit në Bruksel si pjesë e delegacionit të qeverisë për dialog.

Thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithëpërfshirje, sfidohen nga vet veprimet dhe shterpësia e saj. Kjo qeveri është jo legjitime dhe jo kredibile pasi që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit. I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani.

Përkundër faktit se prioritetet e Kosovës duhet të jenë menaxhimi efikas i pandemisë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, dhe zhvillimit socio-ekonomik, kjo qeveri plotësisht e çorientuar dhe duke dështuar në secilin rrafsh po i jep vëmendje të pakushtëzuar një procesi për të cilin as nuk ka planifikim, as përgatitje, as mbështetje, por as legjitimitet.

Në përputhje me qëndrimet tona në raport me këtë qeveri jo legale dhe jo legjitime, për arsyet e lartpërmendura, por jo vetëm, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore.

Top Channel