Ujgurët frikësohen se Ankaraja po i nënshtrohet presionit të Pekinit

26/08/2020 22:50

Shumë ujgurë të Kinës gjetën strehim në Turqi pas goditjes që Kina u bëri pakicave, kryesisht asaj myslimane që flet gjuhën turke. Vëshguesit e përshkruajnë gjendjen e të arrestuarve si në kampe përqëndrimi.

Ndërsa rritet presioni i Pekinit ndaj Ankarasë, refugjatët ujgurë frikësohen për të ardhmen e tyre në Turqi.

Gjatë një demonstrate të fundit, aktivistët ujgurë u ankuan se në tokën turke nuk mund të ngrejnë zërin kundër Kinës.

Më herët policia arrestoi aktivistë për veshjen e bluzave me slogane mbështetëse për familjarët e arrestuar në Kinë.

“Policia na tha se jeni të lirë por jo me këto bluza. Ne pyetëm përse? Oficeri tha, ‘nuk mundeni, mund t’i vishni mbrapsht’ duke na detyruar t’i veshim ashtu e duke ofenduar nderin tonë, nënat dhe vëllezërit tanë”, tha aktivisti ujgur, Mirzehmet Ilyasoglu.

Turqia është mes vendeve që strehojnë numër të madh refugjatësh ujgurë, shumica prej të cilëve jetojnë në Stamboll.

Poeti Abduurehim İmin Parach u shpërngul në Stamboll para shtatë vitesh. Gruaja e tij ndodhet në kampet e paraburgimit në Kinë.

Ai frikësohet se kritikat e tij për Kinën e kanë bërë shënjestër të autoriteteve turke.

“Policia më arrestoi në një restorant dhe më dërgoi në prefekturën Sefakoy. Më dhanë një dokument dhe më kërkuan që ta firmosja. Thanë: “Ky person është i lidhur me organizata që janë kërcënim për Turqinë.” Unë thashë se nuk kam asnjë lidhje me këto grupe dhe nuk do ta nënshkruaj”, tha poeti Parach.

Rastet si kjo janë më të pazakonta, thotë avokati i të drejtave të njeriut Ibrahim Ergin, i cili ndihmon aktivistët e kërkuar për ekstradim në Kinë.

“Njerëzit ndodhen në paraburgim të akuzuar për terrorizëm edhe pse nuk ka prova. Ne e dimë që Kina po bën presion të madh mbi ministrinë e punëve të brendshme dhe të jashtme dhe forcat e sigurisë. Gjatë komunikimit tonë me këto autoritete, na është thënë se deportimi i pesë deri në dhjetë ujgurë do ta ndihmonte ekonominë dhe politikën turke”, tha avokati Ergin.

Ish kryeministri Ahmet Davutoglu akuzoi qeverinë e Erdoganit se po sakrifikon ujgurët për të forcuar lidhjet ekonomike me Kinën.

Presidenti Erdogan mohoi akuzat, duke thënë se Turqia ofroi strehim për dhjetra mijëra ujgurë.

Ndërsa publikohen lajme të reja të ashpërsimit të Kinës ndaj Ujgurëve, ndryshe nga shumë vende të tjera, udhëheqësi turk nuk I dënoi veprimet e Pekinit.

Heshtja po i trazon ujgurët.

“Autoritetet heshtën; heshtja po më frikëson. Nuk mund të flas për të ardhmen time. Edhe nëse flas, do të shqetësohesha me mendime të këqija sepse e ardhmja ime është në errësirë”, tha aktivisti Abduurehim Imin Parach.

Zoti Parachi gjen paqe në poezi.

Për vite ai nuk ka kontakt me familjen e tij, sikur edhe shumë ujgurë. E ardhmja jep pak shpresë për të.

Top Channel