‘Shkelje për Covid-19’/ Dorëhiqet komisionari evropian për Tregti

26/08/2020 22:41

Komisionari për Tregti i Bashkimit Evropian, Phil Hogan dha dorëheqjen sonte për shkak të një skandali politik.

Skandali shpërtheu për shkak të pranisë së tij në darkë, e cila shkelte rregullat për masat për të luftuar koronavirus, konfirmoi një zyrtar i lartë i Komisionit për Politico në Bruksel.

Hogan do të njoftojë dorëheqjen e tij më vonë sonte në televizionin irlandez RTE, shtoi një burim.

Zëdhënësi i tij më parë njoftoi sot se Hogan do të jepte dorëheqjen sot. Komisionari irlandez mori pjesë në një darkë të organizuar nga një klub golfi në Irlandë të mërkurën e kaluar, i cili shkeli rregullat irlandeze për luftën kundër pandemisë COVID-19 për shkak të më shumë se 80 të ftuarve të pranishëm.

Hogan më pas kërkoi falje publike dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, kërkoi një raport të detajuar mbi veprimet e tij në rastin në fjalë.

Komisioni Evropian ka thënë më parë se është e rëndësishme që të gjithë të ndjekin rregullat dhe rekomandimet për luftimin kundër përhapjes së koronavirusit, dhe që komisionari mund të lirohet nga detyra qoftë me kërkesën e tij ose me kërkesën e presidentes së Komisionit për të dhënë dorëheqjen.

Pas dorëheqjes së Hogan, Irlanda duhet të propozojë një kandidat të ri për komisionar.

Top Channel