Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz thotë se ekonomia e vendit duket se po ecën me ritme më të mira nga sa druhej pak javë më parë.
Ai beson se Gjermania do të kthehet në nivelet e para krizës në fund të 2021-shit dhe në fillim të 2022-shit. Rastet e reja të koronavirusit ndërkohë vazhdojnë të rriten në Gjermani, duke sjellë me vete jo pak shqetësim. Në qytetin e Munihut, është ndaluar shitja e alkoolit pas orës 21.00 nëse infektimet arrijnë 35 për 100 mijë persona. Shkalla aktuale është 28 në 100 mijë vetë.
Në Francë situata është e ngjashme. Qyteti i dytë i vendit, Marseja, ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës kudo, duke filluar nga dita e sotme. Marseja ka një shkallë prej 177 rastesh për 100 mijë banorë ndërkohë që mesatarja në shkallë kombëtare është 33 për 100 mijë vetë.
Edhe Turqia ka marrë disa masa të reja duke ndaluar ceremonitë e fejesës dhe duke kufizuar dasmat në vetëm një orë në 14 provinca. Vendi ka raportuar 1502 raste të reja në 24 orë, shifra më e lartë kjo që nga qershori. Por, tifozët e futbollit do të mund të vazhdojnë të ndjekin ndeshjet e skuadrave të tyre që nga tetori me stadiumet që do të mund të hapen me 30 për qind të kapacitetit.
Në SHBA ndërkohë numri i rasteve të reja po vazhdon të bjerë pavarësisht se ekspertët ia atribuojnë këtë rritjes së përdorimit të maskave mbrojtëse dhe një rënieje të numrit të testeve të kryera. Sidoqoftë, më shumë se 1 mijë viktima vazhdojnë të raportohen çdo ditë në vend.
Top Channel