Në kujtim të Drago Siliqit/ E bija Laura Konda: Do ribotoj veprën e plotë

26/08/2020 20:33

Nëse do te jetonte, në verën e këtij viti, Drago Siliqi, do të mbushte 90 vjeç. Por ai u nda nga jeta tepër i ri. Në moshën 33 vjeçare, pas një aksidenti ajror. Atë do ta kujtojmë patjetër si poet, botues, kritik. Së bashku do ta kujtojmë edhe në një olan më intim. Nëpërmjet vajzës së tij Laura Kondi që ka qenë vetëm dy vjeçe kur humbi të atin.

“Im atë mbahet mend si kritik letrar kryesisht. Ismail Kadare, Fatos Arapi, Llazar Siliqi, Dhimitër Shuteriqi.., ai analizonte shkrimet dhe veprat e tyre. Por unë dësha te theksoja që im atë mbahet mend gjithashtu si drejtori i shtëpisë së vetme botuese “Naim Frashëri”. Librat që u botuan ne vitet ‘60, janë librat kryesorë të letërsisë perëndimore. Si botues ai merrte mbi vete shume risk. Një tjetër meritë e tij është afrimi i përkthyesve më të mirë të letërsisë shqipe.”

Ne nuk zgjodhëm më kot ta rikujtojmë Drago Siliqin në këtë 90 vjetor, pasi do te ketë një ribotim të plotë të veprës së tij.

“Kam patur në plan, por kjo po përkon edhe me këtë 90 vjetor të tim eti, që t’i ribotoj veprën e tij. Një përmbledhje me poezi dhe kritika. Gjithashtu dhe shkrime që kanë shkruar ish kolegë të tij dhe shkrimtarë të letërsisë shqipe për babin tim.:

Gjatë viteve të fundit të jetës, Drago Siliqi  ishte një  zë autoritar i kritikës përveçse krijues. Por ky zë u ndërpre në mes, sepse “Ka zogj që gjithë jetën fluturojnë dhe vdesin duke fluturuar”, siç do të shkruante ai

“Le të mos harrojmë që “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u bë një vepër e plotë pasi Drago Siliqi e kishte lexuar tregimin në revistat e kohës, i thotë Kadaresë; Mos e humb kot këtë xhevahir. Duhet ta bësh roman!” Petro Marko e kujton me shumë trishtim ikjen e tij. Ai thotë ” mbylla telefonin, u ula në një stol në ballkon dhe nisa të qaja!”

Top Channel