“Mos udhëtoni në 160 vende”/ Zgjatet paralajmërimi me dy javë

26/08/2020 20:57

Paralajmërimi i qeverisë gjermane për të mos udhëtuar në rreth 160 vende zgjatet deri në mes të shtatorit.

Qeveria gjermane e justifikoi hapin me rritjen e numrit të infektimeve me koronavirus jashtë vendit. “Situata nuk do të ndryshojë sa duhet pozitivisht deri në mes të shtatorit për të hequr paralajmërimin global për të mos ndërmarrë udhëtime,” tha një zëdhënëse e ministrisë së jashtme.

Ajo theksoi se “njerëzit që kthehen nga jashtë vendit shpesh sjellin infeksion në Gjermani” dhe u bëri thirrje qytetarëve të përdorin arsyen kur zgjedhin destinacionet e tyre të udhëtimit.

Sipas Institutit Robert Koch (RKI), më shumë se 40 përqind e njerëzve që rezultuan pozitivë në testet për Covid 19 në Gjermani ishin infektuar për herë të fundit jashtë vendit. Paralajmërimi për të mos ndërmarrë udhëtime vlen për të ashtuquajturat vendet të treta. Ky grup përfshin vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian ose që janë të asociuuara me zonën Shengen. Për ata që kthehen nga këto rajone, një test për koronavirusin është i detyrueshëm kur hyjnë në Gjermani.

Derisa të dalë rezultati, ata duhet të izolohen për 14 ditë në karantinë, si një masë paraprake. Deri tani, paralajmërimi i udhëtimit ka qenë i kufizuar deri në fund të gushtit.

Top Channel