Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u ka dërguar letër partive opozitare në vend të cilave u ka kërkuar të dërgojnë nga një përfaqësues për takimin që do të mbahet me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se në dialog shkojnë për njohje reciproke ndërkohë ka bërë të ditur se diskutimet që do të bëhen nesër në Bruksel janë për bashkëpunim ekonomik.

Hoti ka thënë është duke e finalizuar delegacionin që do të marrë pjesë më 4 shtator në Uashington ku ka shtuar se do të provojë të përfshijë të gjithë.

“Sot kam dërguar letër edhe të partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë, pastaj në takimin e paraparë në fillim të shtatorit në Bruksel. Do të jem i hapur të krijojmë një ekip gjithëpërfshirëse të të gjitha forcave politike pa përjashtim, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, por duke mos i bartur kompetencat kushtetuese por duke i ushtruar ato ashtu siç janë të parapara në Kushtetutë”, tha Hoti.

I pari i Ekzekutivit vendor ka thënë se ka pajtim në mes të partnerëve të koalicionit që dialogun do ta zhvillojnë për njohje reciproke.

“Kemi një dakordim të përgjithshëm edhe me partnerët e koalicionit brenda qeverisë edhe raportimin që kam bërë në Kuvend, se dialogun ne e zhvillojmë për njohje reciproke, për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, nesër diskutimet që bëhen në Bruksel janë pjesë e marrëveshjes finale për njohje reciproke që adreson në takimin e mëhershëm çështjen e të pagjeturve, dhe nesër do të diskutohen çështjet e bashkëpunimit ekonomik”, tha ai.

Një takim në nivel ekspertësh në mes të dy palëve do të mbahet nesër në Bruksel, ndërsa takimi në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington pritet të mbahet më 4 shtator.

Top Channel