Gruaja në varfëri ekstreme gjendet e vdekur pranë foshnjes së kequshqyer në qendër të Skocisë

26/08/2020 20:57

Një azilante në gjendje të mjeruar u gjet e vdekur në fundjavë pranë foshnjes së saj të kequshqyer, në kryeqendrën e Skocisë, Glasgow.

Mercy Baguma nga Uganda u gjet e vdekur në apartamentin e saj në zonën Govan teksa fëmija qante pranë saj, njoftonte organizata e bamirësisë Positive Action in Housing (PAIH), çka u konfirmua më pas dhe nga autoritetet.

Në deklaratë thuhej se Baguma kishte jetuar në “varfëri ekstreme” pasi humbi vendin e punës, prej skadimit të lejes për të qëndruar në Britani. Pas nisjes së procesit të azilit ajo mbështetej në miq e grupe bamirësie për të siguruar ushqim.

Azilkërkuesit kanë të drejtë një pension të vogël javor prej 37.75 paundë për person, por ajo u kishte thënë punonjësve të bamirësisë se nuk kishte arritur të merrte paratë. Për herë të fundit prej saj ishte dëgjuar më 18 gusht.

Policia skoceze tha se vdekja e Baguma po trajtohej si “e pashpjeguar, por jo e dyshimtë”.

Djali i saj ishte gjetur “i dobësuar nga uria”, dhe u dërgua në spital, por tashmë është në kujdesin e të atit që jeton në Glasgow, tha grupi i bamirësisë PAIH.

Drejtoresha e grupit PAIH, Robina Qureshi, tha në një deklaratë: “Përse nënat dhe bebet e tyre lejohen të vuajnë nga uria në këtë qytet, përse me këto çështje duhet të merren vullnetarët apo grupet e bamirësisë?

“Politikat britanike të azilit kanë krijuar vështirësi të paimagjinueshme për refugjatët dhe familjet e emigrantëve në qytet. Tashmë është çështje ‘kur’ dhe jo ‘nëse’, do të ndodhë tragjedia e radhës”.

Paul Sweeney, deputeti i laburistëve opozitarë në Glasgow tha se çështja e Baguma reflektonte “pasojat brutale e tragjike të sistemit të azilit britanik”.

“Është e dhimbshme të mendosh atë që mendonte Mercy Baguma në ditët e fundit të jetës së saj. Ky dëshpërim dhe tmerr për t’u kujdesur për fëmijët duhet të marrë fund”.
Deputeti i SNP për jugun e Glasgow, Stewart McDonald, e quajti sistemin britanik të azilit “çnjerëzor në masë kriminale”.

Ministria e brendshme britanike tha se do të kryejë një hetim të plotë mbi rastin e zonjës Baguma.”

FOTO GALERI
1/3
Baguma kishte jetuar në “varfëri ekstreme” pasi humbi vendin e punës, prej skadimit të lejes për të qëndruar në Britani

Top Channel