Gjermania ndal protestat/ Masat anti-covid, nuk do lejohen grumbullime në fundjavë

26/08/2020 20:44

Në kryeqytetin gjerman nuk do të lejohet të zhvillohen gjatë fundjavës demonstrata kundër masave për koronavirusin të vendosura nga qeveria. Lajmin e njoftoi vetë Senati i Berlinit.

Autoriteti kompetent për mbledhjet e manifestimet i justifikoi ndalimet me faktin se grupi i pritur i pjesëmarrësve do të shkelte rregulloren aktuale për mbrojtjen nga infektimi. Kërkesa të posaçme, si mbajtja e maskës në gojë dhe në hundë, nuk janë të mjaftueshme për takimet e lajmëruara.

DW thotë se senatori i Brendshëm i Berlinit, Andreas Geisel, e përshëndeti vendimin: “Ky nuk është një vendim kundër lirisë së mbledhjes, por një vendim për mbrojtje nga infektimi”, tha ai. Duhet të vendoset një ekuilibër mes të drejtës themelore të lirisë së mbledhjes dhe paprekshmërisë së integritetit të jetës. Ne vendosëm për jetën,” u shpreh Geisel. Organizatorët e demonstratës në fillim të gushtit i injoruan me qëllim rregullat e pranuara më parë për mbrojtjen nga infektimi. “Shtetin nuk mund ta tërheqësh për hunde,” tha ai. Veç kësaj, senatori njoftoi se nuk do të lejohet as një kamp me çadra. Në 1 gusht, rreth 20,000 vetë demonstruan kundër masave shtetërore të marra me qëllim frenimin e koronavirusit dhe në atë rast, asnjë detyrim higjiene nuk u mor parasysh.

Top Channel