Breshëri shkatërron mollët/ Stuhia godet fshatrat e Devollit, dëmi deri në 80 përqind

26/08/2020 15:33

U deshën vetëm 15 min breshër për të shkatërruar pemëtoret me mollë në zonën e Devollit. Në fshatrat Mancurisht, Progër, Zëmblak, Cangonj por edhe fshatra të tjerë niveli i dëmit është në masën 80 %.

Breshëri i regjistruar një ditë më parë në fshatrat e Njësisë Administrative të Progrit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në kulturat e tjera bujqësore. Intensiteti i tij krahas dëmit në mollë ka rrafshuar edhe në masë të mbjellat duke bërë që puna e një viti e fermerëve të humbasë. Tonelata me mollë edhe këtë vit do të hidhen nga fermerët, për të cilët çdo vit bëhet më i vështirë si pasojë e mungesës së tregut apo edhe faktorëve natyrorë.

Ne te gjithë Bashkinë e Devollit demi i shkaktuar nga breshëri ne pemëtoret me molle përllogaritet ne masën 40%. ndërsa janë ngritur grupet e verifikimit te dëmeve te cilat do te shkojnë ne çdo fshat per te evidentuar demet dhe per t’ja derguar me pas te gjithe praktiken Emergjencave Civile per demshperblimin e fermereve. E pavarësisht kësaj këta fermerë të mësuar me dëmet e herëpashershme mbeten shpresë pak se dikush do ti ndihmojë.

Top Channel