Ndërkohë që u hap Kuvendi Kombëtar Republikan, ish-senatori nga Arizona, Jeff Flake, si dhe mbi 20 ish-anëtarë të tjerë republikanë të Kongresit, shprehën mbështetjen e tyre për kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden. Fushata e zotit Biden njoftoi se ish-ligjvënësit ishin përfshirë në grupin “Republikanë për Bidenin”, duke bashkuar forcat me fushatën demokrate për të shtuar numrin e republikanëve që do të votojnë për demokratin Biden
Disa prej anëtarëve të grupit, përfshirë ish-ligjvënësin nga Pensilvania, Charlie Dent dhe ish-senatorët Gordon Humphrey dhe John Warner përkatësisht nga Nju Hampshër dhe Virxhinia, e kishin shprehur që më parë përkrahjen e tyre për zotin Biden. Zoti Jeff Flake ishte më i spikaturi në këtë grup, si rezultat i përplasjeve që ka pasur në të kaluarën me zotin Tump gjatë kohës kur ishte senator dhe kishte tërhequr vëmendjen për kundërshtimin e tij ndaj presidentit.
Në një artikull-opinion në gazetën Washington Post vjet në shtator, zoti Flake u bëri thirrje republikanëve të mos e mbështesin presidentin për një mandat të dytë, duke shkruar se presidenti se kishte treguar veten “se nuk e meriton postin më të lartë të vendin”. Zoti Flake foli të hënën duke deklaruar se mbështet zotin Biden, me fjalët se votuesit duhet të zgjedhin dikë “që do të ndalë kaosin dhe do të zhbëjë dëmin”. Deklaratat e republikanëve që kanë dalë në mbështetje të zotit Biden janë pjesë e strategjisë së kandidatit demokrat për të tërhequr votues të moderuar dhe konservatorë duke reklamuar republikanë të njohur pro zotit Biden.
Ndër republikanët që e morën fjalën në Kuvendin Kombëtar Demokrat javën e kaluar ishin ish-guvernatori i Ohajos John Kasich dhe ish-guvernatorja e Nju Xhërsit, Christine Todd Whitman, ish-sekretari i Shtetit, Colin Power dhe ish-ligjvënësja nga Nju Jorku, Susan Molinari. Në një deklaratë për kanalin Fox News, fushata e Presidentit Trump flet me mospërfillje për deklaratat e figurave republikane pro-kandidatit demokrat.
Drejtori i fushatës për komunikimet, Tim Murtaugh tha: “Joe Bideni ka qenë i dështuar në Kënetën e Uashingtonit për gjysmë shekulli, prandaj askush nuk duhet të çuditet kur Krijesat e Kënetës mblidhen për të mbrojtur dikë si vetja e tyre”. (Fraza frymëzohet nga një film horror i titulluar Krijesa e Kënetës).
“Presidenti Trump ka përkrahje të pakrahasueshme – mbi 95% ndër votuesit e vërtetë republikanë dhe po shton përkrahjen në elektoratin bazë demokrat si afrikano-amerikanët, latino-amerikanët, anëtarët e sindikatave.Arritjet e sukseset e Presidentit Trump për të gjithë amerikanët do t’i sigurojnë atij fitore në nëntor”. Gjatë Kuvendit Kombëtar Republikan, fushata e presidentit do të prezantojë ish-politikanë demokratë që tani mbështetis zotin Trump, ndër ta ligjvënësin nga Nju Xhërsi, Jeff Van Drew, që vjet tha se po kalonte me Partinë Republikane. Vetë presidenti pritet të flasë gjatë të gjitha netëve të kuvendit.
Top Channel