Shqipëria ka nisur trajtimin me plazmën e gjakut kundër koronavirusit. Prej ditësh ministria e Shëndetësisë i ka bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjakun, e ky apel më tepër i drejtohet atyre që e kanë kaluar “murtajën” e re të këtij shekulli, koronavirusin.
Kësaj thirrje i është përgjigjur mjeku Roland Xhaxho, i cili dhuroi sot gjak. Xhaxho disa muaj më parë u infektua me COVID, ndërsa arriti që të fitonte luftën me sëmundjen dhe tashmë ka dhuruar plazmën, e cila do të përdoret për të kuruar të prekurit me këtë virus. Ministria e Shëndetësisë bën apel që shembulli i mjekut të ndiqet edhe nga personat e tjerë që e kanë kaluar COVID-in.
“Krenare për mjekët, që me shembullin e tyre, përçojnë vlerat e humanizmit dhe solidaritetit për atë që ka më shumë nevojë. Dr. Roland Xhaxho, pasi e ka mundur virusin e rrezikshëm, i është bashkuar nismës “Bëhu hero për dikë që ka nevojë”, duke dhuruar gjak, që do të shërbejë për trajtimin e pacientëve me COVID19. Bëhu edhe ti hero për dikë që ka nevojë për ty! Dhuro gjak/plazëm” shkruan ministria e Shëndetësisë.
Një nga metodat që ndihmon në trajtimin e pacientëve që vuajnë nga COVID19 dhe janë në trajtim spitalor, është vlerësuar të jetë dhe trajtimi me plazmën konvaleshente.
Top Channel