Presidenti venezueljan Nicolas Maduro e cilësoi një “ide të mirë” blerjen e raketave nga Irani, një ditë pasi Kolumbia deklaroi se Venezuela po e merr në konsideratë një mundësi të tillë në një kohë kur marrëdhëniet mes Karakasit dhe Teheranit janë forcuar ndjeshëm.
Irani në muajin maj i e furnizoi shtetin e izoluar komunist me benzinë pas mangësive të mëdha në treg, çka bëri të bien këmbanat e alarmit në Washington, pasi një zhvillim i tillë minonte programet e sanksioneve agresive të SHBA-së, që është në kurs përplasjeje më regjimin e Maduros.
“S`na kishte shkuar në mend kjo gjë, por në fakt është një ide e mirë të flasim me Iranin e të shohim çfarë raketash me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë veprimi kanë ata”, u shpreh presidenti venezueljan. Kreu i shtetit kolumbian, Ivan Duque qe shprehur më herët se Maduro po mendon të bëjë një blerje të tillë nga republika islamike dhe se po i dorëzon grupeve të armatosura në Kolumbi armë të prodhimit rus dhe bjellorus.
Do ishte një çudi nëse qeveria e Maduros po përpiqet vërtet të blejë armë në një kohë kur nuk arrin dot të sigurojë as gjërat më bazike për popullatën si ushqimet apo ilaçet, apo t`i garantojë asaj furnizimin me karburant për shkak të sanksioneve dhe një mosfunksionimi kronik të rafinerive të vendit.
Top Channel