Një diplomat rus dyshohet se ka kryer prej vitesh me ndihmën e një qytetari austriak spiunazh ekonomik. Vjena reagon me dëbim nga vendi. Moska kundërpërgjigjet.

Dëbimi i ndërsjellë i diplomatëve po dëmton marrëdhënien mes Austrisë dhe Rusisë. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Austrisë njoftoi se Vjena ka shpallur person të padëshiruar një diplomat rus dhe ka kërkuar që ky të largohet nga vendi deri më 1 shtator. Duke justifikuar këtë masë Ministria e Jashtme austriake tha se diplomati rus kishte shkelur rregullat e Konventës së Vjenës për të Drejtat e Diplomatëve. Gazeta “Kronen Zeitung” njoftoi se bëhej fjalë për spiunazh ekonomik.

Reagime reciproke nga Moska

Ministria e Jashtme në Moskë thirri nga ana e saj ambasadorin austriak në Rusi. Sipas agjencisë së lajmeve Tass përveç protestës kundër këtij hapi që Moska e quan “vendim pa bazë” ambasadorit ju njoftua po ashtu se Moska ka shpallur po ashtu një diplomat austriak si person të padëshirueshëm.

Edhe ambasada ruse në Vjenë reagoi përmes një njoftimi në Twitter ku shprehu “indinjatën për vendimin e autoriteteve austriake” dhe e quajti vendimin e Vjenës “dëm për marrëdhëniet midis dy vendeve.”

Spiunazh ekonomik dhe industrial

Sipas gazetës “Kronen Zeitung” diplomati rus ka kryer prej vitesh me ndihmën e një qytetari austriak spiunazh ekonomik dhe industrial në një kompani austriake të teknologjisë së lartë. Pasi qytetari austriak informoi eprorin e tij për këtë aktivitet, nisën hetimet dhe u hap edhe procesi gjyqësor. Diplomati rus, i cili duhet të ketë shërbyer si oficer drejtues i spiunit vendas, nuk pranoi të dëshmojë duke iu referuar imunitetit të tij diplomatik.

Hera e parë që Vjena dëbon një diplomat rus

Austria ka lidhje mjaft të ngushta me Rusinë dhe e sheh veten si ndërlidhëse politike midis Lindjes dhe Perëndimit. Në kryeqytetin austriak ka shumë diplomatë rusë që punojnë si në organizatat e OKB-së edhe tek Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE).

Sipas “Kronen Zeitung” kjo është hera e parë që një diplomat rus duhet të largohej nga Austria. Austria qe distancuar edhe në vitin 2018 nga shumica e vendeve evropiane që pas sulmit me helm ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus Sergej Skripal në Britaninë e Madhe dëbuan nga vendi diplomatë rusë. Në atë kohë Austria refuzoi të dëbonte diplomatë rusë në shenjë hakmarrjeje. /DW/

Top Channel