5 ditë kohë për formularin e vetëdeklarimit, zbardhet e-mail i PD-së dërguar kandidatëve për deputet

25/08/2020 15:45

Një e-mail ka mbërritur në postën elektronike të kandidatëve të cilët  aspirojnë apo janë propozuar nga baza për tu bërë  deputet  të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. 

Kandidatët e mundshëm njoftohen nga selia blu se kanë kaluar fazën e parë të procesit  të përzgjedhjes dhe se duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit me të dhëna personale mbi pasurinë, vendimet e formës së prere brenda dhe jashtë vendit nëse kanë, identitetin e personave te rrethit shoqëror të cilët i njohin me mire,  të japin informacion mbi shëndetin e tyre mendor dhe emocional  apo probleme me alkoolin dhe drogën.

Një e-mail i tillë, mësohet se ka mbërritur edhe ne postën elektronike te Jozefina Topallit, kritikes më të fortë të Lulzim Bashës, por  burime nga selia blu bëjnë me dije për Top Channel  se  ish-nënkryetarja demokrate deri tani nuk ka kthyer asnjë përgjigje përmes postës elektronike.

Kandidatët e mundshëm për deputet  të cilat kanë kaluar fazën e parë kanë 5 ditë kohë për të plotësuar dokumentin i cili i  ka mbërritur nga selia blu. Nesër ky afat skadon për ta, ndërkohë  udhëzimi i firmosur nga  lidershipi demokrat  parashikon se mosdorëzimi në kohë i formularit të vetëdeklarimit  do të nënkuptojë heqje dorë  nga gara duke prodhuar edhe automatikisht skualifikim të  emrave   nga lista e kandidatëve te mundshëm  për deputetët të cilët vijojnë fazën e dytë.  Nga detyrimi  për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit përjashtohet ata  kandidatë të cilët  kanë pasur mandat përfaqësimi politik të Partisë Demokratike si deputet apo kryetar bashkie dhe e kanë shlyer detyrimin me vetëdeklarimit pranë organet  shtetërore vitet e fundit.

Burime nga selia blu, konfirmojnë se në Tiranë dhe Vlorë  nuk është përmbyll ende faza e filtrimit te kandidatëve ndërkohë parashikohet që brenda ditës së  nesërme të përmbyllet puna dhe të bëhet njoftimi i  emrave te cilët kanë kaluar fazën e parë në këto dy qarqe.

Top Channel