Rindërtimi i shkollave/ Në Shijak mësimi do të nisë në shkolla zëvendësuese

24/08/2020 12:24

Viti i ri shkollor do të kthejë nxënësit në shkolla, pas vitit të kaluar që u mbyll me mësim në distancë,  po në zonat e dëmtuara nga tërmeti kthimi në bankat e shkollës nuk do të jetë një proces i lehtë.

Në bashkinë e Shijakut, një nga më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 nëntorit, po punohet me ritme të larta për rindërtimin e dy shkollave të mesme dhe një kopshti. Kjo është shkolla e mesme “16 Shtatori” në qytet ku dhe pse nën temperatura të larta, punohet pa ndërprerje, ndërsa rindërtimi i shkollave 9-vjecare “Lidhja e Prizrenit” dhe “Petrit Llaftiu” nuk ka nisur ende. Shkollat e mesme dhe kopshti nr.1 pritet të përfundojnë brenda 26 nëntorit, një vit pas fatkeqësisë natyrore që tronditi vendin dhe rrjedhën normale të jetës.

 “ZVA pranë bashkisë Shijak ka marrë masat që nxënësit të frekuentojnë mësimin në shkollat pritëse. Ne kemi disa shkolla të tjera që nuk do t’i nënshtrohen demolimit dhe ka nisur rindërtimi i shkollave të mesme, shkolla “Kajo Karafili” në Maminas dhe “16 shtatori” në qytetin e Shijakut. Po punohet me ritme të shpejta për të arrit afatet e premtuara që dhe nxënësit brenda 26 nëntorit të kenë mundësi t’i ndjekin mësimet në shkollat e reja.”

Paralelisht me shkollat vijon procesi i rikonstruksionit të shtëpive individuale dhe pallateve të dëmtuara në nivelet DS1, DS2 dhe DS3. Nëpër pallate janë ngritur skelat e punës. Përmes angazhimit dhe bashkëpunimit mes banorëve, Shijaku po zbaton skemën e menaxhimit të granteve të rikonstruksioni nga përfaqësues të banorëve të cdo pallati që kanë zgjedhur firmat ndërtuese për riparimin e ambjenteve të përbashkëta dhe apartamenteve të tyre në 27 pallate. Me shpërndarjen e granteve ka nisur puna dhe për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara.

 “Ka nisur procesi i shpërndarjes së granteve për banesat individuale. Kemi përfituar grant për 1174 familje të nivelit të dëmit DS1, DS2 dhe DS3. Gjithashtu kemi përfituar grante për 27 pallate të dëmtuara në të njëjtat nivele dhe me vendim të këshillit bashkiak kemi mundësuar që grantet e përfituara për pallatet  të mirëmenaxhohen nga 2 përfaqësues të banorëve të këtyre pallateve, që grantet të përdoren në mënyrë kolektive kur dhe jetesa në to është kolektive.Punimet po monitorohen nga urbanistika e bashkisë dhe nga përfaqësues të ambasadës zviceriane, që ka akorduar fondi për ambjentet e përbashkëta. Është një proces transparent dhe ajo që na nevojitet më shumë është siguria e këtyre banesave.”

Aktualisht, në këtë bashki po shemben dhe rindërtohen 508 banesa individuale, ndërsa marrin bonus qiraje rreth 800 familje. Pallatet e shembura dhe të tjera të dëmtuara në nivelet DS4, DS5 qëndrojnë në pritje të sfidës së radhës, këtë vjeshtë, duke e shndërruar Shijakun në një kantier të madh ndërtimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA