Kritiku i Putin, nën mbikëqyrje/ Ai po ndiqej gjatë udhëtimit në Siberi ku edhe u helmua

24/08/2020 15:59

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili po mjekohet në një spital gjerman pas një helmimi të dyshuar, ishte nën mbikëqyrje nga agjentët federalë të sigurimit rus, gjatë udhëtimit të tij të fundit në Siberi, raporton një gazetë ruse.

Oficerët e Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) monitoruan lëvizjet e Navalny, tha gazeta Moskovsky Komsomolets, duke cituar burime të agjencive ruse të sigurisë.

Vëzhgimi përfshinte oficerë të veshur si civilë dhe kamerat në objekte dhe rrugë, shkruan gazeta. Raporti jep detaje rreth vendit ku ai qëndroi, ushqimit që konsumoi ai me bashkëpunëtorët e tij dhe informacione rreth lëvizjeve të tij. “Shkalla e mbikëqyrjes nuk më befason aspak.

Ne ishim të vetëdijshëm për të më parë”, tha zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh.

Yarmysh tha më 20 gusht se ajo besonte se politikani ishte helmuar derisa pinte një çaj të blerë në aeroportin e Tomskit.

Policia gjermane më 23 gusht rriti shkallën e sigurisë në spitalin e Berlinit, ku Navalny po mjekohet. Navalny është klasifikuar si mysafir i kancelares gjermane, Angela Merkel, si një mjet për të siguruar që ai të marrë mbrojtjen më të mirë të mundshme të policisë, sipas transmetuesit gjerman ZDF.

Navalny, 44 vjeç, u evakuua në Gjermani nga qyteti Siberian Omsk me një aeroplan ambulance të aranzhuar nga një Fondacion jo fitimprurës. Ai ka qenë në gjendje kome që kur u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi nga qyteti siberian i Tomskit për në Moskë.

Avioni u detyrua të bënte një ulje emergjente në Omsk.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA