Vetëm disa orë pas takimit me yllin e skuadrës së Barcelonës, Lionel Messin, tekniku i ri i katalanëve Ronald Koeman ka dhënë një intervistë për mediat holandeze, ku ka konfirmuar rëndësinë e “pleshtit” për klubin “blaugrana”.
Trajneri 57-vjeçar holandez foli me superlativa për sulmuesin argjentinas dhe u shpreh i bindur që ai do ta mbyllë karrierën te Barcelona, pasi e quajti Messin një emblemë për klubin katalan. “Kam akoma kontakte me Guardiolën dhe ai më thotë që është fantastike të punosh me Messin. Është një fitues dhe kur nuk fiton, nervozohet. Duhet të sigurohem që ndihet i rëndësishëm, pasi Messi duhet të qëndrojë këtu. Messi është Barcelona dhe Barcelona është Messi”, deklaroi Koeman.
Trajneri katalan nxiton kështu t’i dërgojë sinjale dashurie yllit argjentinas, që sipas mediave spanjolle, ditën e djeshme ia ka bërë të qartë në takim se e sheh veten më shumë jashtë sesa brenda projektit të të ardhmes së Barcelonës. Megjithatë Koeman nuk është ndalur vetëm te “pleshti”, pasi ka deklaruar se loja e Barcelonës do të nisë nga pozicionimi i duhur në fushë i holandezit Frenkie De Jong, por edhe i francezit Antoinne Griezmann.
“Kam parë një ndeshje të Barcelonës dhe kam thënë me vete, nuk do ta aktivizoj kurrë De Jong në atë pozicion, Ai do të luajë në të njëjtin pozicion që luante te Ajaxi apo te kombëtarja holandeze. Nuk mund të investosh 70 milionë euro për një djalë të ri dhe më pas të mos e aktivizosh në rolin që ndihet më mirë. Edhe Griezmann nuk është një sulmues anësor, siç ka luajtur shpesh te Barca këtë sezon. Duhet të kuptojmë sa më shpejt se ku mund të shprehet më mirë dhe ta bëjmë që të vërë aftësitë e tij në dispozicion të skuadrës”, u shpreh trajneri i ri i katalanëve.
Top Channel