“Kanë 8 muaj që gënjejnë”/ Tabaku: E vërteta e Zall Herrit dhe gjendjes së mjeruar s’mbulohet me propagandë

22/08/2020 20:09

Përmes një postimi në Facebook, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaron se banorët e Zall Herrit jetojnë në mjerim.

Ajo akuzon Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun Veliaj se bëjnë show e gënjejnë këta banorë.

“Banorët e kësaj njësie duhen ndihmuar sepse nuk kanë kurrgjë dhe sot janë në zgrip të varfërisë dhe jo të përdoren si kavie për eksperimentet e rilindjes”, shprehet Tabaku.

STATUSI I PLOTË:

E vërteta e Zall Herrit dhe gjendjes së mjeruar nuk mbulohet dot me propagandën e zvjerdhur me regji qendrore. Kanë 8 muaj që gënjejnë shqiptarët nga Durrësi në Tiranë, nga Lezha në Krujë se do t’u rregullojnë shtëpitë dhe i kanë lënë më çadra edhe pa shtëpi.

Vizita e Veliajt me regji dhe kamera që kanë vlerën e investimit të rrugëve në Zall Herr nuk i shërben askujt veç atij që mashtron dhe nuk punon. Banorët e kësaj njësie duhen ndihmuar sepse nuk kanë kurrgjë dhe sot janë në zgrip të varfërisë dhe jo të përdoren si kavie për eksperimentet e rilindjes.

Banorët e kësaj zone e kanë të qartë situatën, ndihmën dhe zgjidhjen e presin nga opozita. Pasi ne jemi më pranë tyre se sa propaganda e kryebashkiakut që i mban me gënjeshtra dhe kujtohet për ta vetëm kur opozita është aty!

Top Channel