Habit mbrojtësi kroat: Godita Ramos me bërryl, për t’u “hakmarrë” për Salah

22/08/2020 00:17

Finalja e Ligës së Kampionëve e zhvilluar në Kiev mes Realit të Madridit dhe Liverpoolit në 2018-ën, do të mbahet mend gjatë për atë ndërhyrje të ashpër të kapitenit të spanjollëve Sergio Ramos, ndaj yllit të “the reds” Muhamed Salah, duke e dëmtuar këtë të fundit dhe nxjerrë nga fusha që në pjesën e parë.

Vetë Ramos mohoi që ndërhyrja te ishte e qëllimshme, por nuk u shpëtoi kritikave nga shumë njerëz të futbollit e fansa nga anembanë botës, ndërsa lojtarët e Liverpoolit ishin ata që reaguan më ashpër ndaj kapitenit të Los Blancos.

Njëri prej atyre që nuk ia fali asnjëherë ndërhyrjen Ramosit, ishte edhe mbrojtësi kroat Dejan Lovren, i cili vetëm pak muaj më vonë gjeti përballë mbrojtësin spanjoll në një ndeshje të Ligës së Kombeve mes Spanjës dhe Kroacisë.

Lovren ngriti lart bërrylin dhe goditi fort Ramos, ndërsa thuajse dy vite më vonë zbulon se gjithçka e kishte bërë për t’u hakmarrë për atë ndërhyrje që kapiteni i Realit të Madridit kishte bërë ndaj egjiptianit Salah.

“I dhashë një bërryl të qëllimshëm Sergio Ramosit dhe i thashë që tashmë i kishim barazuar llogaritë. E respektoj shumë si futbollist dhe për atë që bën për skuadrën, pasi ka fituar shumë trofe, por nga ana tjetër ka sjellje që nuk më pëlqejnë dhe që dëmtojnë futbollistët. Nuk dua të krijoj polemika, por mendoj që ndërhyrja e Ramos ndaj mikut tim Salah, ishte me qëllim që ta dëmtonte, ndaj në përballjen që pata me të, ishte koha për të paguar”, tregon Lovren

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA