Ruçi uron Talat Xhaferin, për rizgjedhjen Kryetar i Kuvendit të RMV

21/08/2020 19:38

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi z. Talat Xhaferi, me rastin e rizgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

“Me rastine rizgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju dërgoj urimet më të mira të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personale.

Rizgjedhja Juaj në këtë detyrë të lartë është një tregues i lidershipit Tuaj të sprovuar, vizionar, të matur dhe të balancuar, gjatë katër viteve të legjislaturës së kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Rizgjedhja Juaj është gjithashtu një tregues i pjekurisë dhe emancipimit të elitës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe i përgjegjësive të saj për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e një shoqërie të drejtë, zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe përshpejtimin e proceseve integruese euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.

Shpreh bindjen se rritja dhe fuqizimi i përfaqësimit politik do t’í shërbejë përmirësimit të mirëqenies dhe nxitjes e zgjerimit të përfshirjes së shqiptarëve në të gjitha nivelet dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Jam gjithashtu i bindur se bashkëpunimi shumë i suksesshëm midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të rifillojë shumë shpejt dhe kam kënaqësinë t’Ju ftoj për  një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje edhe me agjendën Tuaj.”, shkruhet në mesazhin e urimit që Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot z. Talat Xhaferi, me rastin e rizgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Top Channel