Shtyhet takimi për “dialogun”/ Prishtinë, partitë duhet të koordinojnë për vizitën në Washington më 2 shtator

20/08/2020 15:44

Delegacioni kosovar do të niset drejt Washington-it më 2 shtator duke synuar nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë.

Kështu ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh partner i Qeverisë, Ramush Haradinaj. Haradinaj po ashtu ka njoftuar se takimi konsolidues mes liderëve të partive politike të koalicionit me Kryeministrin, Avdullah Hoti, i paraparë për të enjten është shtyrë për ditën e hënë.

Top Channel mëson se takimi është shtyrë pasi në vend nuk ishte edhe Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. Tutje burimet bëjnë me dije se përveç unifikimit politik, liderët do të vendosin se kush do të jetë pjesë e delegacionit me kryeministrin Hoti.

Takimi i dy shtatorit në Shtëpinë e Bardhë vjen pas anulimit të atij të 27 qershorit, si pasojë e mospjesëmarrjes së palës kosovare pas publikimit të aktakuzës së pakonfirmuar nga Gjykata Speciale ndaj presidentit, Hashim Thaçi.

 

 

Top Channel