Putin ndërmjetëson takimin/ Rama bisedon me Lavrov për ndërhyrjen e OSBE në krizën e Bjellorusisë

20/08/2020 20:15

Kryeministri shqiptar Edi Rama me shumë gjasa do të jetë negociator për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi në cilësinë e kreut të OSBE.

Burime pranë kryeministrit konfirmuan  se ai ka zhvilluar një telefonatë 30 minutëshe me ministrin e jashtëm rus Lavrov, e cila i është kushtuar tërësisht kësaj çështjeje. Mësohet se ministri rus i ka konfirmuar kryeministrit Rama, se presidenti Vladimir Putin, e ka këshilluar homologun bjellorus Aleksandër Lukashenko të lejojë OSBE-në, si një negociatore për të zgjidhur krizën që po kalon vendi.

Lavrov gjatë komunikimit me Ramën është shprehur se opozita në bjellorusi akuzon qeverinë se manipuloi zgjedhjet dhe se Rusia mbështet nevojën e ndërhyrjes së OSBE-së për të zgjidhur këtë krizë. Nga ana e tij Rama shprehet i gatshëm të jetë sa më shpejt në Minsk sapo palët ta pranojnë ofertën dhe të zhvillojnë bisedime më të gjitha palët në konflikt. Një ditë më parë edhe Bashkimi Europian mbështeti propozimin  e OSBE-së, për dialog në Bjellorusi dhe thotë se është e gatshme të ofrojë asistencë të mëtejshme në këtë drejtim.  Kryeministri Rama në rolin e kryetarit të OSBE dhe pas konsultave me ministren e jashtme të Suedisë shprehu gadishmërinë për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës Bjelloruse. Ai mori edhe mbështetjen e Bashkimit Europian. Po sot Rama ju përgjigj zërave kritike nga Shqipëria duke komentuar në twiter se:

Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.

Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.

Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë”

Në orët e pasdites edhe departamenti amerikan i shtetit lëshoi një deklaratë mbështetëse të sekretarit Majk Pompeo ku i bëhet thirrje Bjellorusisë të pranojë ofertën e kreut të OSBE-së për të ndërmjetësuar dialogun me përfshirjen e të gjitha palëve.”

Bjellorusia është përfshirë nga protesta të forta pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale. Presidenti Lukashenko shpalli fitoren e thellë ndërsa rivalja e tij e opozitës braktisi vendin, mbështetësit e opozitës shpërthyen në protesta me akuza për manipulim të zgjedhjeve. Gjatë protestave ka pasur edhe disa viktima. Osbe në gjithë historinë e saj ka ndërhyrë në raste të tilla për të ndërmjetësuar zgjidhjen e konflikteve. Këtë herë i takon Shqipërisë të drejtoje këtë proces dhe këtë po e bën me bashkëpunim me Suedinë e cila merr presidencën e radhës.

Top Channel