Barack Obama e akuzoi Donald Trump se e ka parë presidencën amerikane si një “tjetër show televiziv”. Në një fjalim plot tone të ashpra të mbajtur në natën e tretë të konventës demokrate, ish kreu i Shtëpisë së Bardhë u përpoq të tregonte se pasardhësi i tij nuk arriti ta bënte mirë punën e vet për shkak të dembelizmit e paaftësisë!
“Trumpi nuk ka treguar interes për të bërë punën që duhet të bëjë. Asnjë interes për të gjetur gjuhën e përbashkët. Asnjë interes për ta trajtuar presidencën si diçka më shumë sesa reality show me qëllimin që të marrë vëmendjen që aq shumë e dëshiron. Pasojat e presidencës Trump po i shohim: impulse tona më të këqija të çliruara nga zinxhirët, reputacioni ynë krenar në mbarë botën, është rrudhur keqas dhe institucionet tona demokratike, kërcënohen si kurrë më parë.
Një cirk i vërtetë, me të gjithë ligësinë, gënjeshtrat dhe teoritë e konspiracionit”, u shpreh Obama. Trumpi nuk e la paraardhësin pa përgjigje.
“Unë shoh tmerrin në të cilin ai na la dhe idiotësinë e lëvizjeve që bëri. Shoh sa keq ishte, sa joefikas ka qenë ai si president, është e tmerrshme. Unë jam sot këtu përpara jush si president pikërisht për shkak të punës së keqe të presidentit Obama dhe Joe Bidenit”, ishte komenti i Trump.
Demokratët po përpiqen të bindin elektoratin amerikan se u gabua me zgjedhjen e Trumpit në vitin 2016 dhe se Biden do të ndryshojë frymën aktuale të politikës amerikane dhe angazhimin me aleatët. Kamala Harris pranoi zyrtarisht në konventë kandidaturën për zëvendëspresidente, një nominim ky historik ky sepse është e dyta grua në histori që caktohet nga Partia Demokrate si kandidate për postin e rëndësishëm.
Top Channel