U mbajt nata e katër e konventës Demokratike, ku siç pritej vëmendja do të ishte te fjalimet e ish-presidentit Barack Obama dhe kandidates për zv-presidente Kamala Harris.
Obama gjatë fjalimit të tij të mbajtur live hodhi akuza të forta ndaj presidentit republikan, Donald Trump. Obama tha se Trump po e trajtonte presidencën amerikane si një spektakël, ‘reality show’ dhe se demokracia në Amerikë është në diskutim.
“Asnjëherë nuk kam pritur që pasardhësi im të përqafojë vizionin tim ose të vazhdojë politikat e mia. Kam shpresuar për hir të vendit tonë, që Donald Trump mund të tregojë ndonjë interes për ta marrë seriozisht punën, por ai kurrë nuk e bëri. Për afro 4 vite ai nuk ka treguar interes për vendosjen e punës, për të gjetur terren të përbashkët, asnjë interes për të përdorur fuqinë e jashtëzakonshme të zyrës së tij për të ndihmuar këdo, por ndihmoi vetëm veten dhe miqtë e tij. Ai nuk tregoi interes për ta trajtuar presidencën si çdo gjë por e trajtoi si një show që të mund të merrte vëmendjen që dëshironte”- tha Obama.
“Demokracia në Amerikë është në diskutim. E drejta e votës është e shenjtë. Ne duhet ta bëjmë më të lehtë që njerzit të votojnë, jo më të vështirë. Asnjë nga këto nuk duhet të jetë e diskutueshme. Këto nuk duhet të jenë parime republikane ose parime demokratike. Ata janë parime amerikane. Por në këtë moment, ky president dhe ata që e mundësojnë atë, kanë treguar se nuk besojnë në këto gjëra- shtoi ish-presidenti Obama.
Ndërkohë të shpejta ishin edhe reagimet e presidentit Trump pas fjalimit të Obamas. “Trump është zgjedhur vetëm për shkak të ‘tmerrit’ që Obama la te amerikanët”- shkruan Trump në Twitter.
Në natën e tretë të konventës Demokratike, Kamala Harris pranoi emërimin që të kandidojë përkrah Joe Biden si zv-presidente. Dyshja Biden-Harris do të sfidojë presidentin Trump dhe zv-presidentin Mike Pence për në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Top Channel