Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko kërcënoi se do të padisë penalisht drejtuesit e opozitës ndërsa qindra vetë sfiduan policinë e dolën në Minsk për një tjetër natë protestash.
Me mijëra vetë janë arrestuar e qindra janë plagosur gjatë demonstratave mbarëkombëtare kundër asaj që është cilësuar manipulim i zgjedhjeve presidenciale. Të paktën tre protestues kanë vdekur. Zoti Lukashenko i ka bërë thirrje policisë që të jenë edhe më e ashpër ndaj demonstruesve. Por dëshmitarët raportuan se policia po qëndronte pranë protestuesve dhe nuk bëri ndonjë lëvizje drastike, ndërsa qindra vetë qëndronin në shi të mërkurën mbrëmjë jashtë ministrisë së Brendshme.
Zoti Lukashenko ka akuzuar Perëndimin për financimin e protestuesve dhe urdhëroi agjentët e sigurisë të “zbulojnë e të ndalojnë nxitësit ddhe organizatorët e trazirave”. “Nuk duhet të ketë më trazira në Minsk të çfarëdo lloji qofshin”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve “Belta” duke iu referuar komenteve të bëra nga Presidenti Lukashenko. Të mërkurën Bashkimi Evropian tha se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi, proces që kritikët e Presidentit Aleksandër Lukashenko thonë se ishte i manipuluar për të zgjatur 26 vitet në pushtet të tij. BE-ja tha gjithashtu se do të vazhdojë me planet për t’i vendosur sanksione Bjellorusisë.
“BE-ja do t’u vendosë së shpejti sanksione një numri të konsiderueshëm personash përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel pas një takimi të jashtëzakonshëm të vendeve të bllokut, për të diskutuar rreth krizës në Bjellorusi. Më vonë Kancelarja gjermane Angela Merkel u tha gazetarëve se BE-ja mbështet protestuesit paqësorë në Bjellorusi dhe një zgjidhje të negociuar të trazirave. “Për ne është e qartë se Bjellorusia duhet të gjejë rrugën e saj. Kjo duhet të ndodhë përmes dialogut në vend dhe nuk duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë. Njerëzit në Bjellorusi e dinë se çfarë duan dhe çfarë është e mirë për ta”, tha zonja Merkel.
Presidenti rus Vladimir Putin, i cili i ka ofruar ndihmë ushtarake zotit Lukashenko, paralajmëroi të martën Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin Francez Emmanuel Macron të mos ndërhyjnë në punët e Bjellorusisë. Paralajmërimi i zotit Putin erdhi pas bisedave telefonike me këta të fundit. Përpara takimit urgjent të nivelit të lartë të BE-së kundërshtarja politike e zotit Lukashenko u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të mos i njohin zgjedhjet presidenciale që sipas saj u manipuluan në favor të zotit Lukashenko. Por ky i fundit e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
Kundërshtarja politike Sviatlana Tsikhanouskaya i bëri komentet nga Lituania, ku u arratis pas zgjedhjeve. “Zoti Lukashenko ka humbur gjithë legjitimitetin në sytë e kombit tonë dhe botës”, tha ajo. Zonja Tsikhanouskaya thotë se është ajo fituesja e zgjedhjeve të 9 gushtit dhe ka bërë thirrje për proces të ri nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Zyrtarët që administruan procesin zgjedhor në Bjellorusi thanë se zoti Lukashenko u rizgjodh për një mandat të gjashtë me 80 per qind të votave ndërsa kandidatja e vetme serioze e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya fitoi rreth 10 për qind të tyre.
Zonja Tsikhanouskaya hyri në garë më vonë pas arrestimit të bashkëshortit të saj, një bloger dhe kandidati i mundshëm i opozitës, Siarhei Tsikhanouski. Aleksandër Lukashenko e mori pushtetin në Bjellorusi në 1991 pasi vendi shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Ai njihet në Perëndim si “diktatori i fundit i Evropës” për shkak të shtypjes së të drejtave të njeriut, mbytjes së fjalës së lirë, dyshimeve për manipulime në zgjedhje si dhe tolerancë të zbehtë ndaj opozitën. Por mbështetësit e tij thonë se ai e ka mbajtur Bjellorusinë larg luftës dhe se i ka siguruar punë popullatës. Zoti Lukashenko ka kërkuar ta fshijë imazhin e tij prej diktatori në Perëndim, duke u përpjekur për lidhje më të mira me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë ditët e fundit punëtorët në Bjellorusi janë hedhur në grevë si pjesë e një fushate për të larguar nga pushteti presidentin autoritar. Trazirat filluan të përshkallëzohen pasi zoti Lukashenko hodhi poshtë kërkesat për të dhënë dorëheqjen dhe pas një sulmi të ashpër të policisë ndaj protestuesve paqësorë. Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde ka ofruar të vizitojë Bjellorusinë në funksionin e kryetares së radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), e cila shpesh ndërmjetëson mosmarrëveshjet në kontinent. Kombet perëndimore dhe ish-republikat e ish-Bashkimit Sovjetik janë anëtare të OSBE-së./VOA
Top Channel