Sulm me motive islamike? 30-vjeçari irakian përplas qëllimisht makinat në autostradën gjermane

19/08/2020 13:22

Autoritetet gjermane po hetojnë një seri përplasjesh, në dukje të qëllimshme, në një autostradë në Berlin.

Ata dyshojnë se goditja e disa makinave radhazi nga një 30-vjeçar irakian mund të jetë një sulm me motive islamike. Incidenti ndodhi të martën në mbrëmje. Gjashtë persona u plagosën, tre prej të cilëve rëndë, kur makina e të dyshuarit u përplas me automjetet tjera në autostradën A100.

Dëshmitarët thanë se personi pretendonte se kishte një “objekt të rrezikshëm” në një kuti municioni, por më vonë brenda saj nuk u gjet asgjë.

“Të dhënat e deritanishme flasin për një sulm me sfond islamik”, u citua nga revista “Focus” një zëdhënës i prokurorisë.

“Thirrjet e të dyshuarit në vendngjarje sugjerojnë se veprimet e tij mund të kenë pasur motive të tilla”, shtoi ai.

Zëdhënësi u shpreh se ka edhe të dhëna se i dyshuari, i arrestuar në vendngjarje, mund të ketë probleme psikologjike. Mediat gjermane e identifikuan atë si Samrad A, një individ që jeton në një objekt strehimi për refugjatë dhe raportet tregojnë se ai mund të jetë radikalizuar atje. I riu pritet të përballet me tre akuza për tentativë vrasjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA