Laboratorët Kosovë/ Thirrje të raportojnë parregullsitë

19/08/2020 14:44

Autoriteti i konkurrencës në Kosovë tha se deri tani nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët lidhur me laboratorët privatë, të cilët janë të licencuar për testime për COVID-19.

Por ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos ngurrojnë t’i drejtohen në rast së shohin ndonjë parregullsi.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka ndërmarrë të gjitha masat për monitorimin e tregut në mënyrë që të shmanget cdo shkelje e mundshme. Gjatë ditëve të fundit, kemi arritur të mbledhim të dhëna të detajuara nga një numër i konsiderueshëm i laboratorëve të licencuar dhe institucionesh të tjera përgjegjëse, dhe jemi duke monitoruar sjelljen e këtyre institucioneve shëndetësore, me theks të veçantë në caktimin e çmimeve të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e këtij organizmi.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës të martën licensoi edhe 12 laboratorë privatë për të kryer teste serologjike për koronavirus. Deri më tani, në Kosovë janë licencuar 69 laboratorë privatë për teste serologjike dhe virologjike për sëmundjen. Përmes testeve serologjike, qytetarët mund të mësojnë nëse e kanë kaluar koronavirusin dhe nëse kanë krijuar antitrupa kundër COVID-19.

Top Channel