Tirana do të luajë sot në orën 19:00 ndeshjen e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampioneve me Dinamo Tbilisin.

Bardheblutë të drejtuar nga Emanuel Egbo  zhvilluan pasditen e së martës seancën stërvitore në stadiumin e kryeqytetit gjeorgjian “Boris Paichadtze”, ku do të luhet edhe përballja që sigurisht do të jetë pa praninë e tifozëve.  Për Tiranën, kampione të Shqipërisë bëhet fjalë për një rikthim në raundet kualifikuese të Ligës së Kampioneve pas 11 vitesh dhe skuadra duket në gjendje të mirë në prag të përballjes me Dinamo Tbilisin.

Ditë më parë Emanuel Egbo theksoi se skuadra e tij synon të arrijë deri në fazën e grupeve dhe skuadra gjeorgjiane është pengesa e parë që duhet kaluar në këtë rrugëtim të bardhebluve. Tirana në këtë ndeshje do të jetë pa disa prej lojtarëve kyç, që e ndihmuan në fitoren e titullit kampion siç janë Michael Ngoo apo Albi Doka të larguar, ashtu sikurse edhe kapiteni Erando Karabeci.

Megjithatë bardheblutë kanë filluar të bëjnë lëvizje në merkato për të sjellë lojtarët e duhur për të zëvendësuar të larguarit siç është Najdevski. Sfida mes Dinamo Tbilisit dhe Tiranës do të jetë e vetme, pra skuadra që kualifikohet do të caktohet brenda 90 minutave apo pas kohës shtesë e penalltive nëse do të jetë e nevojshme.

Në rast kualifikimi Tiranën e pret një përballje me Crvena Zvezdën që siç parashikohej mori një fitore të lehtë 5-0 ndaj skuadrës nga Gjibraltari 5-0. Kjo e sotmja do të jetë ndeshja e tretë mes Dinamo Tbilisit dhe Tiranës. Dy herët e para këto dy skuadra janë ndeshur në raundin kualifikues të Ligës së Kampioneve në sezonin 2003/2004, kur secila prej skuadrave mori nga një fitore 3-0 dhe pas gjuajtjes së 11 metërshave, Tirana u kualifikua falë pikërisht trajnerit të saj aktual Egbo, që në atë kohë mbrojti portën e bardhebluve teksa priti 2 penallti.

 

Top Channel