Një ish-zyrtar i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës është arrestuar në Shtetet e Bashkuara nën akuzën e spiunazhit për Kinën.
Nëse shpallet fajtor, Alexander Yuk Ching Ma, 67-vjeçar, rrezikon dënim të përjetshëm. Ai thuhet se ka komplotuar së bashku me një të afërm të tij, gjithashtu zyrtar të CIA-s, për të ofruar informacion të klasifikuar për mbrojtje te zyrtarët kinezë të inteligjencës. Ma pritet të dalë përpara gjykatës e ndërkohë, Prokurori i Havajit, Kenji Price e bëri të qartë se veprimet e tij përbëjnë tradhti për SHBA-në.
“Ata që ofrojnë informacione për Republikën Popullore të Kinës nuk do të shpëtojnë nga dora e gjatë e ligjit”, deklaroi Price. Ma, amerikan i natyralizuar por i lindur në Hong Kong, nisi të punonte për CIA-n në1982 dhe ka pasur qasje në infromacione tejet të rëndësishme pranë kësaj agjencie.
Prokurorët thanë se ai është larguar nga CIA më 1989 dhe ka jetuar e punuar në Shangai, Kinë, përpara se të vendosej në Havai në 2001. Në aktpadi përmendet një takim treditor në Hong Kong, gjatë së cilit, Ma është parë në disa incizime duke përfituar 50,000 dollarë për sekretet që ai dhe i afërmi i tij kanë ofruar. Në dokumentet e gjykatës është thënë se pasi Ma është kthyer në Havaji, ai ka tentuar të punësohet si linguist në Byronë Federale të Hetimeve, për të siguruar qasje në sekretet e qeverisë amerikane, e për t’ia dorëzuar ato më pas agjentëve kinezë.
Top Channel