Në Shqipëri, veprimtarët e të drejtave të njeriut pohojnë se autoritetet shëndetësore e kanë përqëndruar gjithë vëmendjen tek trajtimi i pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe e kanë ulur kujdesin ndaj sëmundjeve kronike po aq të rrezikshme.
Shqipëria ka aktualisht 300 mijë persona, që vuajnë nga sëmundje kronike.
Rrjeti i shoqatave të pacientëve me sëmundje kronike, thotë se shqetësimi për COVID-in ka lënë pas dore sëmundjet e tjera, të cilat po ashtu marrin jetë njerëzish në heshtje, larg syve të publikut.
Gjatë karantinës së pandemisë Covid në pranverë për të sëmurët kronikë u krijuan shumë vështirësi në sigurimin e ilaçeve, kryerjen e vizitave mjekësore periodike, në transportin e tyre drejt klinikave dhe spitaleve, takime me mjekun e familjes dhe mjekun e specialitetit përkatës, Kështu i rendit vështirësitë e para të përballjes me Covid-in koordinatorja e rrjetit të shoqatave të pacientëve me sëmundje kronike, Olimbi Hoxha. Por pas karantinës Covidi u bë një pandemi e re botërore, duke lënë në hije shumë sëmundje, që kanë pandemi të mëparshme dhe ka ndodhur një zhvendosje vëmendjeje nga sëmundjet e tjera.
“Vërtet faza e parë që ishte faza akute kërkonte një vëmendje të shtuar nga institucionet drejtuar problematikave që solli për sistemin shëndetësor shqiptar COVID-19, por tashmë ai do të jetë mes për shumë kohë. Pra, sistemi duhet të përgatitet për këtë situatë të re në këndvështrim afatgjatë sa u takon sëmundjeve kronike të mëparshme. Sipas Institutit të Kujdesit Shëndetësor është fjala për afro 300 mijë persona me sëmundje kronike, që trajtohen nga fondi i detyrueshëm. Kemi një numër të konsiderueshëm pacientësh kronikë, të cilët presin shërbime nga sistemi shëndetësor” – thotë zonja Hoxha.
Gjatë karantinës dhe në vazhdim në shumicën e njoftimeve të autoriteteve shëndetësore theksohej fakti se Covidi po infektonte dhe po u merrte jetën personave me sëmundje kronike, thotë zonja Hoxha, dhe për këtë arsye kujdesi ndaj pacientëve me sëmundje do të duhej shtuar, që të mos binin pre e Covidit, duke nisur nga infomimi dhe deri tek mjekimi më i mirë i tyre.
“Nuk mund të gjykojmë është apo jo i gatshëm sistemi të trajtojë dhe përballojë gjithë gamën dhe ngarkesën e sëmundjeve kronike, por ajo që duhet të vëmë theksin është menaxhimi. Në këtë situatë duhen strategji ndërhyrje dhe stafe të specializuara, që të mos kemi ndërprerje të shërbimeve, në mënyrë që situata e Covidit të mos ndikojë në sëmundjet e tjera kronike. Ne orientohemi për të ulur nivelin e Covidit, si në viktima ashtu edhe në përhapje, por kjo nuk duhet të shoqërohet me humbje jete tek të pacientë të tjerë me sëmundje kronike” – thotë zonja Hoxha.
Përfaqësuesit e shoqatave të pacientëve me sëmundje thonë se është për të ardhur keq që Covidi ka rrëmbyer në shërbime me orare të zgjatura pothuaj të gjithë mjekët më të mirë infeksionistë e po merren me të, dhe ka rënë kujdesi ndaj infektimeve të tjera më të vështira se Covidi, si Hiv – Aids etj, për të cilat ata janë ekspertë të pazëvendësueshëm.
“Duke u fokusuar në atë që është problem madhor këtë pjesën e komunikimit, të ndërveprimit, dialogut, se pacientët kanë nevojë të dëgjohen sa u takon kërkesave të shtuara në situatën e ndërlikuar, që solli Coividi. Ne nuk pretendojmë që gjithçka të jetë si përpara Covidit, por ama jo edhe të anashkalohen gjërat, sepse kjo gjendje e re do të vazhdojë për vite dhe nuk mund të presim derisa të stabilizohet situata e Covidit dhe pastaj të rikthehemi tek nevojat e pacientëve kronikë, sepse nevojat e tyre janë sot, ndërhyrjet duhen bërë sot, mbështetja kërkohet sot dhe investimet në burime njerëzore dhe ilaçe duhen sot” – thotë zonja Hoxha.
Vonesat në trajtimin e sëmundjeve kronike e rëndon gjendjen e pacientëve dhe çon dëm gjithë ciklin e mjekimeve të mëparshme, pohojnë ata, ndaj nevojitet një gërshetim më i mirë mes trajtimit të Covidit nga një anë dhe sëmundjeve kronike, pacientët e të cilëve janë më të dobëtit për t’u infektuar nga koronavirusi./VOA/
Top Channel