Sipas një raporti të Institutit Brookings, në Shtetet e Bashkuara janë shitur afro 3 milionë armë zjarri që nga marsi, më shumë sesa në të njëjtën periudhë vitet e mëparshme. Raporti vë gjithashtu në dukje se njerëz që nuk kanë pasur kurrë më parë armë, tani duan t’i blejnë ato.
Instruktori Sam Barbakoff u heq plumbat armëve, pas një dite të ngarkuar tek poligoni i qitjes. Armët janë për praktikë, jo të vërteta. Por ai vetë e mban gjithmonë armën e tij me vete. Zoti Barbakoff beson se nëse ke një armë, duhet ta mbash gati ta përdorësh. “Mendo sikur dikush të të hyjë në shtëpi. Nuk do thuash, prit të shkoj të marr armën në kasafortë. Jo, armën duhet ta mbash gjithmonë me vete”, thotë ai.
Zoti Barbakoff, që ka ardhur në SHBA nga Rusia, ka qenë gjthmonë i apasionuar pas armëve. Ai jeton në Florida, një shtet ku shumë vetë kanë armë dhe 450 mijë armë zjarri janë të regjistruara. Kjo shifër është e dyta më e larta për pronësi armësh në Shtetet e Bashkuara, pas Teksasit. Muajt e fundit, që nga marsi, megjithë numrin e lartë të armëve, shitjet e tyre janë rritur edhe më shumë. Dhe jo vetëm në Florida. Një numër rekord amerikanësh po blejnë armë zjarri në gjithë vendin.
Sistemi Kombëtar i FBI-së për Kontrollin e Historisë Personale, ka bërë mbi 19 milionë kontrolle të tilla gjysmën e parë të këtij viti, 6 milionë më shumë se sa në gjysmën e pare të 2019-ës. Sipas Institutit Brookings, shqetësimet për sigurinë personale po nxisin kërkesën për armë. Instituti thotë se në mars, blerësit shprehën shqetësim për koronavirusin dhe rënien ekonomike. Më pas, thonë autorët e raportit, këtyre shqetësimeve, iu shtuan si faktor edhe protestat kundër padrejtësisë racore, pas vdekjes së George Floyd-it.
Zoti Barbakoff thotë se klasat e tij, janë veçanërisht të frekuentuara tani, megjithëse çmimi i plumbave dhe armëve është rritur. Pistsoletat Glock që dikur e kishin çmimin 400-500 dollarë, tani e kanë 700-750 dollarë. Në Florida, është e ligjshme të blesh armë që 18 vjeç, ndërsa nuk blen dot pije alkoolike deri në 21 vjeç. Dhe nuk ke nevojë për liçencë.
“95 për qind e njerëzve që vijnë tani, po blejnë armë për herë të parë dhe nisen nga lajmet. E shohin se çfarë po ndodh në vend, janë shumë të shqetësuar dhe duan të mbrojnë pronat e tyre, veten dhe familjet e tyre”, thotë Michael Caruso, pronari i një dyqani armësh. Ekspertët thonë se shitja e armëve të zjarrit rritet zakonisht në momente pasigurie. Dhe avokatët e rregullave për armëmbajtjen thonë se rritja e shitjes së armëve ka gjasa të shtojë aksidentet me armë.
“E vërteta është se gjasat që të përdorësh një armë për të mbrojtur veten apo familjen, janë tepër të vogla, besoj 0.2 për qind. Ndërsa mundësia që kur fut një armë të shtëpi, ta përdorësh atë kundër vetes apo një familjari është 300 deri 500 për qind më e madhe”, thotë Igor Volsky, themelues i shoqatës kundër armëmbajtjes “Guns down America”. Por megjithë rrezikun, shitja e plumbave dhe armëve vazhdon të shënojë shifra rekord.?VOA
Top Channel