Lukashenko: Zgjedhje të reja, vetëm po të më vrisni!

18/08/2020 12:52

“Zgjedhje të reja në këtë vend do të ketë vetëm po të më vrisni”, presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko e bëri deklaratën e fortë gjatë një vizite në një fabrikë të Minskut, ku njerëzit e fërshëllyen dhe një grup punëtorësh thirri njëzëri:” Largohu prej këtej”!

Një zhvillim i tillë u pa si një tjetër shenjë se baza tradicionale e shtetarit të fortë bjellorus ka nisur të lëkundet, sidomos pas pretendimeve të tij për fitore në zgjedhjet e shumëdiskutuara të fillimit të muajit.

“Ju flisni për proces të pandershëm dhe kërkoni zgjedhje të reja. Përgjigja ime është se derisa të më vrisni, nuk do të ketë zgjedhje të reja”, deklaroi ai. Situata në vend përbën një shqetësim të shtuar për komunitetin ndërkombëtar. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka ftuar kryetarët e shteteve dhe të qeverive për një samit ku do të diskutojnë të mërkurën se si mund të shtohet më shumë presioni ndaj Presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

“Qytetarët e Bjellorusisë kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të zgjedhin lirisht udhëheqjen e tyre,” shkroi Michel në Twitter. “Dhuna kundër protestuesve është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet”, shtoi ai. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kritikuan ashpër udhëheqjen në Bjellorusi. Steinmeier tha në Berlin, se e admiron guximin e njerëzve që dalin në rrugë për të demonstruar në mënyrë paqësore.BE-ja nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit prej të cilave Aleksander Lukashenko pretendon se ka fituar 80 përqind të votave.

Opozita e akuzon atë për falsifikim të votimeve. Kandidatja e opozitës, Svetlana Tihanovskaja u detyrua të kërkonte strehim në Lituani, prej nga po drejton veprimet e opozitës dhe është e gatshme ta udhëheqë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA