Demokratët filluan të hënën Kuvendin Kombëtar, një aktivitet virtual katër-ditor, me delegatët të shpërndarë në të gjithë vendin, por që kanë të njëjtin synim, të ndihmojë ish-Nënpresidentin Joe Biden të fitojë ndaj Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Gjatë Kuvendit pritet të flasin një sërë emrash të njohur, përfshirë ish-Presidentët Barack Obama dhe Bill Klinton si dhe kandidatja për presidente gjatë zgjedhjeve të 2016-s, Hillary Clinton. Ata do të vënë theksin tek virtytet e zotit Bidenit për të qenë president i vendit dhe të senatores demokrate të Kalifornisë, Kamala Harris të cilën zoti Biden e zgjodhi si kandidaten për nënpresidente për zgjedhjet e nëntorit. Është e para herë që një afrikano-amerikane zgjidhet si kandidate për nënpresidente nga njëra prej partive kryesore.
Pritet që zoti Biden të pranojë emërimin zyrtar nga demokratët për postin e presidentit të enjten në mbrëmje. Kjo do të jetë hera e tretë që ai garon për Shtëpinë e Bardhë në tre dekada, por e para që zyrtarizohet si kandidat i partisë për një mandat katër vjeçar. Demokratët kishin planifikuar zhvillimin e kuvendit kombëtar në qytetin Miluaki të Uiskonsit, por për shkak të pandemisë së zyrtarët e partisë u vendosën që aktiviteti të zhvillohet nëpërmjet internetit.
Ish Nënpresidenti Joe Biden dhe Senatorja Kamala Harris u shfaqën për herë të parë në publik së bashku në qytetin Uillmington të Delauerit javën e kaluar. Kjo pas vendimit historik për ta emëruar atë si kandidate për nënpresidente në përpjekjet e demokratëve për të mposhtur Presidentin republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Partia Demokrate zgjodhi Milluokin në shtetin Uiskonsën si qytetin mikpritës të kuvendit të saj, por për shkak të pandemisë nga COVID-19 pjesa më e madhe e ceremonisë zyrtare të emërimit do të zhvillohet përmes internetit. Në kuvend do të marrin pjesë figura të rëndësishme të partisë në të kaluarën dhe të tashmen që nga ish-kandidatja për presidente Hillary Clinton dhe ish-presidenti Barack Obama tek Alexandria Ocasio-Cortez, ligjvënëse në mandatin e parë nga Nju Jorku. Ish-kandidati presidencial dhe senatori aktual, Bernie Sanders, thotë se Kamala Harris forcon dyshen demokrate.
“Si dikush që e njeh prej disa vitesh, besoj se Kamala është tepër e zgjuar; jashtëzakonisht e fortë, dhe nuk do të doja të isha në vendin e Nënpresidentit Pence në një debat me të. Mendoj se ajo është një pasuri për fushatën e zotit Biden. Mendoj se ajo do të jetë mirë në fushatë”, thotë senatori Bernie Sanders. “E dëgjova sot që ajo nuk i plotëson kërkesat, dhe meqë ra fjala, avokati që shkroi atë pjesë është një avokat shumë i kualifikuar, shumë i talentuar”, tha presidenti Trump Në një konferencë shtypi kohët e fundit në Uashington, në përgjigje të një pyetje nga Zëri i Amerikës, Presidenti Trump tha se kishte dëgjuar argumenta bindëse që vinin në dyshim ligjshmërinë e zonjës Harris për të kandiduar.
Kamala Harris ka lindur në Oaklënd të Kalifornisë, dhe kritikët I krahasuan vërejtjet e presidentit Trump me pretendimet e tij të mëparshme të rreme që vunë në dyshim shtetësinë e ish-Presidentit Obama. Këshilltari i lartë i fushatës së presidentit Trump, Jason Miller, fajësoi mediat për përqëndrimin në çështjen e ligjshmërisë së zonjës Harris. “Nuk është diçka për të cilën po flet ndokush në fushatën tonë. Presidenti tha se nuk është diçka që ne po e ndjekim. Nuk është diçka që na intereson. Dhe, për mendimin tonë, është çështje e mbyllur. Të vetmit njerëz që vazhdojnë ta sjellin atë në vëmendje janë në media”, tha zoti Miller. Kuvendi Kombëtar Demokrat, ku zoti Biden pritet të marrë dhe pranojë emërimin e partisë si kandidat zyrtar për president zhvillohet nga 17 deri në 20 gusht. Donald Trumpi do të pranojë emërimin e partisë së tij në Kuvendin Kombëtar Republikan që fillon në 24 gusht./VOA
Top Channel