Kreu i Komitetit Teknik në Itali: Të ndiqen rregullat, ose pas diskotekave do të mbyllen aktivitete të tjera

18/08/2020 09:54

“Ose të ndjekim rregullat ose rrezikojmë të mbyllim bizneset e tjera pas diskotekave”.

Është kjo deklarata e bërë në një intervistë për “Corriere della” Sera nga Franco Locatelli, president i Këshillit të Lartë të Shëndetit dhe anëtar i Komitetit Teknik Shkencor në Itali, duke thënë se “ne do të rihapim shkollat ​​me çdo kusht. Infeksionet janë në rritje por ne jemi në avantazh dhe mund ta mbajmë nën kontroll epideminë”.

Sipas tij, fillimi i sezonit veror solli nevojën për të konsideruar rihapjen e disa aktiviteteve për të mos dëmtuar ekonominë dhe turizmin, si dhe për t’i lejuar italianët që ti shijojnë pushimet në zona malore dhe detare, duke shmangur ikjen nga vendi.

“Ndoshta, duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje respektimit të rregullave të arta: mbani maskë brenda dhe jashtë nëse është e pamundur të ruani distancën adekuate ndërpersonale, ruani higjienën e duarve dhe shmangni grumbullimet”, thotë ai.

Sa i përket masave në lidhje me diskotekat, Locatelli pranon, “Mbyllja e tyre do të ketë një ndikim ekonomik, për fat të keq, por shëndeti vjen në radhë të parë dhe ato që kemi parë të ndodhin në disko të cilat shihen si vend takime, duhet të shmangen, përndryshe rrezikojmë ta gjejmë veten shumë shpejt në një situatë më alarmante. Të rinjtë mund të infektohen dhe nuk janë të sigurt nga manifestimet serioze. Shumë 20-vjeçarë janë shtruar në spital. Askush nuk është imun. Rreziku që të rinjtë të infektohen është i madh për të gjithë”.

Sipas tij, për të vlerësuar përparimin e epidemisë, duhet të ketë një vizion të përgjithshëm, pasi nëse numri i të infektuarve rritet ndjeshëm, do të sillte një ngarkesë më të madhe në institucionet shëndetësore.

“Të qenit në gjendje më të mirë se Franca dhe Spanja nuk e përjashton frikën e një rritje eksponenciale të kurbës në dy javët e ardhshme. Por ne nuk jemi në valën e dytë”, thotë Locatelli.

Po ashtu thotë se sa më mirë të jetë situata më 14 shtator, aq më e madhe është mundësia e rifillimit të mësimit pa mbyllur klasat, por duke ruajtur distancat dhe duke përdorur maska.

“Përpjekja që duhet bërë, veçanërisht nga Ministria e Arsimit, duhet të jetë identifikimi i të gjitha zgjidhjeve të mundshme në mënyrë që të mos shkarkohet përgjegjësia mbi drejtorët”, deklaron Franco Locatelli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA