“I ka marrë koka erë”/ Michelle Obama sulmon ashpër Trump-in: Është presidenti i gabuar për vendin tonë

18/08/2020 11:39

Michelle Obama e sulmoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump, teksa demokratët përgatiten të kurorëzojnë Joe Biden-in si sfiduesin e tyre në betejën për Shtëpinë e Bardhë.

“Donald Trump është presidenti i gabuar për vendin tonë”, tha ish-zonja e parë e SHBA-së, në një mesazh emocional, të regjistruar për konventën e Partisë Demokrate.

“Sa herë që kthejmë sytë drejt Shtëpisë së Bardhë për udhëheqje, ose, apo qoftë edhe ndonjë imazh qëndrueshmërie, ajo që marrim në vend të kësaj është kaosi, përçarja dhe një mungesë e plotë empatie. Katër vitet e fundit kanë qenë të vështira për t’ua shpjeguar fëmijëve të Amerikës. Ata shohin që liderët tanë i etiketojnë si armiq të shtetit, ndërsa I japin zemër supremacistëve të bardhë. Donald Trump pati kohë mjaftueshëm për të dëshmuar se mund ta bëjë atë punë, por është e qartë se nuk e bën dot. Duhet t’ia japim votën Bidenit, sikur prej kësaj të varej jeta jonë”, tha Obama.

Anëtarë të zhgënjyer të Partisë Republikane të Trump-it gjithashtu iu bashkuan konventës demokrate. Për shkak të shpërthimit të koronavirusit, demokratët hoqën dorë nga planet për një takim gjigant partiak të mbushur me balona e pankarta shumëngjyrëshe në Milwaukee të Wisconsin. Nuk dihet nëse fjalimet virtuale e të regjistruara paraprakisht, pa një audiencë të vërtetë në sallë, do të mund të gjenerojnë të njëjtin nivel entuziazmi të besnikëve të partisë me atë te përpara pandemisë.

Republikanët do të përballen me të njëjtën sfidë kur të mbajnë konventën e tyre javën e ardhshme. Aktiviteti virtual katër ditor demokrat, me delegatët të shpërndarë në të gjithë vendin, ka për qëllim të ndihmojë ish-nënpresidentin Joe Biden të fitojë ndaj Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit. Gjatë Kuvendit pritet të flasin një sërë emrash të njohur, përfshirë ish-Presidentët Barack Obama dhe Bill Klinton si dhe kandidatja për presidente gjatë zgjedhjeve të 2016-s, Hillary Clinton. Biden aktualisht kryeson ndaj Trumpit në sondazhet e fundit të opinionit.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA