Një ish-profesoreshë e shkollës elitare të Partisë Komuniste në Kinë drejtoi një qortim të paprecedent ndaj liderit Xi Jinping, duke e akuzuar atë për “vrasjen e një vendi”, ndërsa pretendon se gjithmonë e më shumë njerëz duan të largohen prej partisë në pushtet.
Cai Xia, një pedagoge e shquar që jepte mësim në shkollën e zyrtarëve të lartë, u përjashtua nga partia të hënën, hap ky që pasoi faktin se regjistrimi audio i vërejtjeve të saj ndaj kreut të shtetit përfundoi ne muajin qershor në internet. Sipas drejtuesve të shkollës, Cai, e cila ishte pjesë e këtij institucioni që në vitin 1992, kishte bërë komente që “dëmtuan reputacionin e vendit” dhe ishin plot “probleme serioze politike”.
Në intervistën e saj të parë për mediat e huaja pas dëbimit nga partia, Cai tha për “The Guardian” se ishte “e lumtur që po largohej”.
“Nën regjimin e Xi Jingping, partia komuniste kineze nuk është një forcë për progresin e Kinës. Në fakt, ajo është një pengesë për përparimin e vendit”, u shpreh pedagogia.
“Unë besoj se nuk jam e vetmja që dëshiron të largohet nga partia. Shumë njerëz do të dëshironin të tërhiqeshin ose të largoheshin”, shtoi ajo.
Cai theksoi se zërat kundër partisë janë shtuar ndjeshëm edhe brenda radhëve të saj, por të paktë janë ata që guxojnë të flasin hapur, sepse i druhen shpagimit politik, që vjen në formën e disiplinimit të brendshëm partiak dhe akuzave për korrupsion.
Në një mjedis të tillë, “pushteti i pakontrolluar i Xi”, sipas saj, dhe monopolizimi i vendimmarrjes, ka çuar drejt gabimeve të rënda siç ishte menaxhimi i shpërthimit të koronavirusit.
Top Channel