Radhët në Kakavijë/ Vokshi: Mijëra shqiptarë në kufi pa ujë pa ushqime, krizë që tregon dështimin e qeverisë

16/08/2020 12:49

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi thotë se mijëra shqiptarë po torturohen dhe rraskapiten prej 5 ditësh në kufi, pa ujë pa ushqime.

Sipas Vokshit, kjo është një krizë e cila provon dështimin e qeverisë pasi nuk komunikon me qytetarët dhe nga ana tjetër si e papërgjegjshme vijon mos testojë masivisht tek popullsia shqiptare për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Është e turpshme që as Edi Rama dhe asnjë nga ministrat e tij nuk ndërprenë pushimet”- shton ajo.

Reagimi i plotë:

Shqetësimi ynë i parë sot është për të gjithë ata shqiptarë që po torturohen dhe rraskapiten prej 5 ditësh në kufi, pa ujë pa ushqime, pa shërbime shëndetësore, ku është krijuar një krizë e vërtetë humanitare.

Është një krizë që tregon dështimin e qeverisë për të komunikuar me qytetarët e vet në këtë kohë kaq delikate dhe të rrezikshme për shëndetin. Është krizë e krijuar nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie, e cila nuk testoi dhe vazhdon të mos testojë masivisht për parandalimin e përhapjes së virusit.

Është e turpshme që as Edi Rama dhe asnjë nga ministrat e tij nuk ndërprenë pushimet, por vazhdojnë të relaksohen në resortet dhe vilat luksoze të bregut sipas një axhende që nuk ka asnjë lidhje me interesin e qytetarëve.

Top Channel