Që prej ditës së djeshme, një situatë e pazakontë po ndodh në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Kështu, radhë kilometrike janë krijuar në Kakavijë e Kapshticë. Siç mund ta shihni në këtë video të siguruar nga Top Channel, një pafundësi makinash shtrihet përgjatë pikave kufitare.
Mbi gjendjen në fjalë reagoi edhe ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Mësohet se Gent Cakaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Varvitsiotis.
“Duke respektuar të gjitha masat dhe forcimin e grupeve që punojnë në kufi, ne jemi duke ndjekur vazhdimisht situatën për të lehtësuar ngarkesën në kufi”.
Si pasojë e shtimit të rasteve me koronavirus në Shqipëri dhe Greqi, autoritetet greke kanë vendosur që të zhvillojnë testime masive për udhëtarët që kalojnë kufirin.
MEPJ deklaroi më herët se është në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjienosanitare.
Top Channel