Rrëzohet ligji për UÇK/ Kuvendi nuk e voton pas kritikave të SHBA dhe BE

14/08/2020 00:18

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të procedohet sërish në seancë plenare, tha propozuesi i këtij legjislacioni, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Gazmend Bytyçi.

“Ky ligj në bazë të rregullores së Kuvendit do të procedohet në secilën seancë, çdo seancë që do të kemi pikë e parë do të jetë ky ligj derisa të votojnë 61 deputetë për, kundër ose abstenim”- tha Bytyçi.

Bytyçi tha se ishte i befasuar që sot deputetët nuk votuan pro këtij projektligji, i cili sipas tij “mbron vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Duke folur për kritikat që ka marrë ky ligj nga ambasada amerikane në Prishtinë dhe diplomatë të tjerë ndërkombëtarë, Bytyçi tha se ligji nuk cenon as lirinë e shprehjes, as të fjalës, nuk frikëson asnjë grup qytetarësh dhe është një ligj i cili ruan, vlerëson dhe mirëmban një pjesë të veçantë të historisë. Gjatë seancës plenare, vetëm 36 deputetë morën pjesë në votimin e këtij projektligji – duke pamundësuar që ai të kalojë në leximin e parë.

Ky projektligj, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, ka nxitur reagime të shumta për shkak se vlerësohet se mund të cenojë lirinë e shprehjes si dhe krijon mundësi për të frikësuar dëshmitarë potencialë të proceseve gjyqësore ku përfshihen ish-pjesëtarë të UÇK-së. Me përmbajtjen e projektligjit nuk është pajtuar ambasada amerikanë në Prishtinë.

Top Channel