Ehsan Bidi, një agjent iranian, dezertor nga kampi i muxhahedinëve në Manzë, një emër i njohur për autoritetet shqiptare por jo vetëm, do të dëbohet sot nga Shqipëria drejt Greqisë.
Në këtë ambient (pamjet në video) ku mbahen refugjatët ilegalë mbasditen e kësaj të enjte është sjellë nga policia shtetasi Iranian Ehsan Bidi.
Bidi, mbërriti në Shqipëri si pjesë e kontigjentit të më tepër se 2 mijë muxhahedinë nga kampi i lirisë në Irak. Ai është agjent i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit iranian (MOIS / VEVAK) në Shqipëri, dhe hyri në vendin tonë më 16 tetor 2013 si refugjat dhe “ish-anëtar i PMOI” (Organizata Popullore Mojahedine e Iranit) me një pasaportë iraniane të lëshuar nga MOIS / Vevak.
Pasaporta e Bidi, me të cilën ai hyri në Shqipëri, e regjistruar në 27 Janar 2013 dhe numër 16359072, është e vlefshme për pesë vjet. Kjo zbulon se nuk ka nevojë ta njohësh këtë individ si refugjat, shkruhet në një profil që muxhahedinët që qëndrojnë në Kampin e Manzës në Shqipëri, kanë publikuar për të.
Transferimi i Bidit në Shqipëri synonte krijimin e qelizës së një rrjeti spiunimi midis anëtarëve të PMOI / MeK të transferuar nga “Camp Liberty” në Irak, në Shqipëri, thuhet më tej në profilin e shkruar për të.
Qëllimi i këtij misioni ishte sigurimi i informacionit të nevojshëm dhe të hapë rrugën për sulmet e ardhshme terroriste. Rezistenca iraniane ka ekspozuar të kaluarën dhe shërbimin e Bidi-it ndaj mullahëve në shumë deklarata të mëparshme.
Sipas deklaratës së publikuar më 2 dhjetor 2013, në 19 Prill 2012, Bidi u dorëzua para forcave Irakiane dhe shkoi në Hotelin Mohajer, i cili kontrollohet nga elementë të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së regjimit (MOIS) dhe Forcës terroriste të Qods. … Në mesin e 2012, Bidi shkoi në Turqi dhe prej andej në Egjipt, duke përdorur një pasaportë të falsifikuar. Zyrtarët egjiptianë e arrestuan atë.
Ndërsa mbahej në burgun në Egjipt, ai ishte në kontakt me përfaqësimin e regjimit në atë vend. Inteligjenca e mullahëve u përpoq ta dërgonte Bidi në Austri, Finlandë apo Danimarkë, por këto vende nuk pranuan ta pranojnë atë dhe ai u kthye në Irak. Duke përdorur një pasaportë iraniane të siguruar atij nga MOIS, ai u dërgua përsëri në Turqi dhe më pas nga Turqia në Rumani, dhe më në fund në Shqipëri. Por edhe në vendin tonë atij i është refuzuar leja e qëndrimit dhe u mbajt i në qendrën e mbyllur të Karecit.
Informacion i Përgjithshëm mbi Ehsan Bidin
Në një profil të tij të në faqen e rezistencës iraniane thuhet se: Bidi ka lindur në 1977 dhe shumë anëtarë të familjes së tij u ekzekutuan nga regjimi iranian për mbështetjen e PMOI / MeK. Ai u largua nga Irani në 2002 dhe shkoi në Kampin Ashraf në Irak për t’u bashkuar me PMOI / MeK. Ai ishte arrestuar dy herë për krime të zakonshme para largimit të tij nga Irani. Nëna dhe vëllai i tij vizituan Ashrafin në 2003 dhe 2004, duke kaluar disa ditë me të dhe duke inkurajuar Bidi të qëndrojë me PMOI / MeK.
Sidoqoftë, pas sulmeve në korrik 2009 dhe prill 2011 kundër Ashrafit të inskenuar nga forcat e kryeministrit të atëhershëm irakian Nuri al-Maliki që i bënë kushtet e qëndrimit në Ashraf edhe më të vështira, Bidi nuk mund të duronte më rrethanat dhe ai u largua nga kampi në rastin e parë të mundshme në 19 Prill 2012, duke shkuar direkt në Hotel Mohajer të Bagdadit. Ky objekt kontrollohet nga MOIS / VEVAK i Iranit dhe “Quds Force” si një qendër rekrutimi për MOIS / VEVAK për të rekrutuar individë që në të kaluarën u larguan nga Ashraf.
Më herët Shqipëria shpalli persona të padëshiruar dy diplomatë të ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete, që cënojnë sigurinë e vendit.
Ky vendimi u mor në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.
Ata janë Mohamed Peimanemati, këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit në Tiranë si dhe Seyed Ahmad Hosseini, atashe kulturor i Iranit në Shqipëri, ky i fundit shumë aktiv në fondacionin Shiraz që vepron edhe në Shqipëri dhe që ka një mbështetje special nga ana e Iranit.
Këta persona ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me ish shefin suprem të trupave Quds, të gjeneralit Sulejmanit, i vrarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mësohet se shërbimet sekrete dhe shërbimi inteligjent shqiptar edhe më ndihmën e vendeve aleateve ka siguruar të dhëna për njohurinë e tyre edhe mbi planin sekret për rrafshimin e Ambasadës Amerikane në Bagdad, në një sulm të organizuat nga Sulejmani, që mesa duket konfirmon vërtetësinë e shqetësimit që çoi në vrasjen e Sulejmanit!
Seyed Ahmed Hosseini Alast
Atashe kulturor, por në fakt anëtar i gardës revolucionare të Republikës islamike, organizatë e shpallur terroriste nga departamenti i shtetit. Pjesë aktive e planeve dhe nxitjes për të organizuar akte terroriste e destabilizuese ndaj prezencës së forcave të koalicionit në Lindjen e Mesme. Statusi diplomatik në Shqipëri i ka shërbyer për të mbuluar aktivitetin e tij që cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Mohamed Peimanemati
Këshilltar i Ambasadës Iraniane në Tirane, por ne fakt anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois, përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE.
I fundit që u dëbua nga vendi ynë ishte 29-vjeçari, Danial Kassrae, i cili është shpallur i padëshiruar nga autoritetet vendase. Danial Kassrae me kombësi iraniane dhe me shtetësi italiane, dyshohet se është agjent me veprimtari spiunazhi i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane. Sipas raportit të Agjentëve të anti-terrorit ky shtetas është klasifikuar si një person i rrezikshëm dhe që cënon sigurinë publike.
29-vjeçari është shfaqur shpesh herë në kampin e Muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Për llogari të shtetit të Iranit, Kassrae ka tentuar të rekrutojë ish-anëtarë të MEK apo anëtarë aktual të kësaj organizate.
Personit në fjalë do t’i ndalohet hyrja në Shqipëri për 15 vitet e ardhshme.
Ndërkohë në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria shpalli si persona të padëshiruar, ambasadorin Gholamhossein Mohammadnia dhe Mostafa Roudaki.
Ndërkohë që më herët ishin ndaluar dy shtetas iraniane që dyshoheshin se do kryenin në Shqipëri një sulm gjatë një feste të bektashinjëve.
Reagimet për dëbimet
Të shumta kanë qenë reagimet për dëbimet e sipërpërmendura , ndërto reagoi asokohe edhe Këshilltari për sigurinë i presidentit të SHBA-ve, John Bolton, në Twiter për ngjarjen: “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke u treguar udhëheqësve të Iranit që mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi përkrah zotit Rama dhe popullit shqiptar teksa ata kundërshtojnë sjelljen e padëshiruar të Iranit në Europë dhe në gjithë botën”
Liderja e muxhahedinëve Maryam Rajavi, ka reaguar në lidhje me dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga ana e Tiranës zyrtare: “Dëbimi nga qeveria e Shqipërisë e dy diplomatëve të regjimit iranian është një masë e guximshme dhe e admirueshme në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e sigurisë së njerëzve të Shqipërisë dhe refugjatëve iranianë. Vende të tjera evropianë duhet të mësojnë nga Shqipëria. Pasi qendra diplomatike iraniane në vendet e tyre janë qendra spiunazhi dhe terrorizmi.”
Top Channel