Nga e hëna në Kosovë, testimet për koronavirusin e ri mund të kryhen edhe në institucione shëndetësore private, pasi ministria e shëndetësisë licencoi 29 të tilla.

Janë në fakt dy laboratorët e licencuar për të kryer testime me metodën PCR ndërsa pjesa tjetër mund të kryejë testimet serologjike.

Sipas ministrit të Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, këto institucione private të licensuara do të monitorohet dhe nuk do të lejohen marrëveshje çmimesh që do të dëmtojnë qytetarët. Në një konferencë për shtyp, së bashku me kryetarin e autoritetit kosovar të konkurrencës, Valon Prestreshi, Zemaj tha se është rënë dakord që ky proces të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës duke mos lejuar monopol dhe se ky proces do të monitorohet nga të gjitha institucionet.

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, garantoi ndërkohë se ky autoritet do ta mbështesë këtë proces dhe nuk do lejojë asnjë marrëveshje rreth çmimit të shërbimit të testimit në mes të laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ende nuk dihet se sa do të jetë çmimi i testimeve në institucionet private shëndetësore.

Deri tani në Kosovë teste për COVID-19 ka kryer vetëm IKSHPK-ja, derisa më 17 korrik kanë filluar të bëhen teste serologjike edhe në sektorin primar shëndetësor, në Qendrat e Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës. Që nga paraqitja e rasteve të para më koronavirus në Kosovë më 13 mars, Kosova është vlerësuar se ka bërë pak teste për COVID-19.

Top Channel