Kurti u kërkon ambasadorëve të huaj t’i ndihmojnë Kosovës në luftën kundër COVID-19

10/08/2020 16:38

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh lider i opozitës në Kosovë, u ka nisur të hënën një letër të hapur ambasadorëve dhe diplomatëve të huaj që veprojnë në Kosovë, duke iu kërkuar që t’i ndihmojnë institucionet e Kosovës në përballimin e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Sipas Kurtit, situata me këtë virus së fundmi në Kosovë është dramatike, andaj u ka bërë thirrje këtyre mekanizmave që përmes ndihmave të tyre të shmangin atë që e ka parashikuar si “katastrofë humanitare”.

“Tani, në emër të popullit të Kosovës, publikisht ju kërkoj juve dhe vendeve tuaja që t’u siguroni institucioneve të kujdesit shëndetësor të Kosovës pajisjet e nevojshme mjekësore dhe burimet njerëzore për të mundësuar të parandalojmë që një krizë shëndetësore të shndërrohet në një katastrofë humanitare”, ka deklaruar Kurti.

Përgjatë letrës, Kurti ka qenë kritik edhe ndaj qeverisë që aktualisht drejtohet nga Avdullah Hoti duhet thënë se i vjen keq që Kosova nuk ka një qeveri që “vepron me përgjegjësi dhe profesionalizëm, që dëgjon shkencëtarët dhe ekspertët dhe që gëzon besim dhe kredibilitet midis qytetarëve.

“Virusi në vetvete nuk është vepër e qeverisë, por dështimi për të vepruar me përgjegjësi është rezultat i drejtpërdrejtë i paaftësisë së saj, çka vuri në rrezik gjithë vendin”, ka shkruar mes tjerash Kurti.

Qeveria e Albin Kurtit është rrëzuar më 25 mars të këtij viti, përmes një mocioni të mosbesimit të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti me të cilën atëbotë kishte formuar koalicion qeveritar.

Në mesin e arsyeve për mocion, LDK-ja pati përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Si është situata me COVID-19 në Kosovë?

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka regjistruar të hënën në Kosovë 172 raste të reja me koronavirusin e ri, pas marrjes së 506 mostrave.

Përgjatë 24 orëve, me këtë virus kanë vdekur 14 persona, duke e çuar numrin total të viktimave në 341.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të hënën janë regjistruar edhe 114 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 4,020.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,419 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Top Channel