Kundër shembjes së pallatit/ Durrës, banorët jetuan në shtëpitë e tyre pas tërmetit: Vendimi është arbitrar

09/08/2020 15:32

Në fund të korrikut, banorët e këtij pallati në lagjen nr.9 të qytetit të Durrësit u lajmëruan për shembjen e tij më 16 gusht.

Ky vendim qe i papritur dhe konsiderohet arbitrar prej tyre. Pas tërmetit të 26 nëntorit ata kanë vazhduar të jetojnë në shtëpitë e tyre. Asnjë nuk ka përfituar bonus qiraje. I klasifikuar në nivelin e dëmit DS3, disa prej banorëve kanë marrë edhe grantin e rikonstruksionit për të riparuar dëmet, që sipas tyre janë vetëm në muraturën e kateve të para.

-”Atje ku verifikuan grupet lanë gjurmë. Te ne jo. Nuk lanë shenjë e ne vazhduam jetën normale. Një ditë të bukur marrim vesh se pallati me urdhër të prerë do të shembet.”

– “Përderisa nuk ka asnjë kolonë të prishur, për çfarë arsye duhet të shembet?!”

– ”Që nga momenti i parë që e kemi kundërshtuar këtë vendim kemi kërkuar një grup ekspertësh nga Instituti, ndërsa akt vlerësimin që vendos shembjen e pallatit e kemi konsultuar me ekspertë të ndryshëm dhe e kundërshtojnë atë. Gjithccka që përshkruhet në atë aktekspertizë nuk ka të bëjë me pallatin tonë.”

Përpjekjet për një ekspertizë të re nuk kanë reshtur gjatë këtyre ditëve, po dhe takimi me drejtuesin e Institutit të Ndërtimit nuk ka sjellë asnjë të re. Vetëm u ka përforcuar bindjen për një vendimmarrje të gabuar për pallatin e tyre të cilin duan ta shpëtojnë nga shembja.

”Me ndihmën e prefektit takuam drejtorin e Institutit, që mbrojti fort tezën se ekspertët kanë ardhur dhe kanë ekzaminuar pallatin. Sipas tij, eksperti që ka firmosur akt ekspertizën dhe ai vetë kanë qenë këtu, por gjatë bisedës pati mospërputhje me të dhënat e pallatit, që sipas tij është i vitit 1978 dhe që është me mure mbajtëse gjë që nuk është e vërteta. Askush nga banorët nuk ka parë një grup ekspertësh që të vijë pranë pallatit e ta vlerësojë.”
Të shqetësuar, në rast të ezkekutimit të vendimit, banorët kërkojnë paraprakisht siguri për rindërtimin e pallatit në të njëjtin vend, si dhe përfitimin e apartamenteve me të njëjtën sipërfaqe banimi që atë që kanë në zotërim.

– ”Duket qartë se ka një interes për t’u prishur pallati, jo sepse ka probleme strukturore, por se ka një pozicion shumë të mirë. Ne nuk kemi një garanci se duan ta bëjnë në të njëjtin vend 100%. Nëse duan ta prishin ne duam vetëm garanci të shkruar e publike.”

– ”Unë kam pas 2+1 dhe pse duhet të ma reduktojë dhe të marr 1+1 këtu, kur është prona dhe trualli im. -Kush ju ka thënë që do të merrni më pak?

-Kryetarja e bashkisë. Më tha këto janë shtëpi emergjence dhe qeveria s’ka të drejtë t’ju japë shtëpi luksi këto që kemi ne. Nuk ka të drejtë askush të ma heqë, sepse e kam blerë.”
– ”Pse duan të më heqin me zor. Dua të vdes këtu te prona ime. Janë gjëra shumë serioze. Më e sigurrë se kjo nuk bëhet këtu. Ne kemi marrë arkitekt e inxhinierë.”

I bindur në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e pallatit shprehet dhe inxhinieri ndërtues i tij, Myzafer Milaqi, i cili është dhe banor i pallatit.

”Themelet kanë shkuar mbi 4 m. Ka themele shumë të forta. Është top. E kam ndërtuar vetë. Ka dalë tokë e fortë, e përshtatshme për ndërtesa 5 kate e sipër.”

Edhe pas dështimit të përpjekjeve për një ekspertizë të re nga Instituti i Ndërtimit, banorët nuk kanë reshtur së kërkuari të vërtetën e pallatit të tyre, ndaj kanë kërkuar kryerjen e një ekspertizë të re privatisht e cila e ka nxjerrë pallatin të banueshëm dhe shtuar dyshimet mbi vendimin për shembjen e tij dhe interesat që fshihen pas kësaj.
”Duke qenë se Instituti i Ndërtimit nuk solli një grup për ekspertizë, ne për sigurinë tonë vendosëm të marrim ekspertë konstruktorë të licensuar që bënë ekzaminimin e pallatit dhe dolën në përfundimin që nuk është i dëmtuar. Përpara këtij fakti ne po mendojmë që ta ndjekim çështjen në rrugë gjyqësore. Koha nuk është e mjaftueshme, po duke qenë se kemi të drejtë do ta çojmë deri në fund këtë çështje.”

Padia e lajmëruar kundër shembjes së pallatit 1035 në Durrës do të shënonte rastin e parë, kur në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit, banorët i drejtohen gjykatës për të vendosur mbi fatin e pronës së tyre përballë një vendimi institucional që ata e vlerësojnë si arbitrar dhe që u cenon të drejtën e pronës së banesës.

Top Channel