Ekspozitë në kushte pandemie/ Në sheshin Skënderbej u projektuan veprat e autorëve më të mëdhenj të impresionizmit

09/08/2020 20:01

Për katër netë në sheshin Skanderbeg janë shfaqur te projektuara disa nga veprat më të mëdha të autorëve më të mëdhenj të impresionizmit.

Kjo në kushtet e një ekspozite virtuale në kohë pandemie. Në një kohë po ashtu që më së shumti aktivitetet kulturore janë te pezulluara. Drejtuesja e këtij projekti që quhet VAG është këtu me ne për të bashkëbiseduar rreth kësaj ndërmarrjeje.

“Në kushte pandemie menduam se njerëzit kanë nevojë për pak art, për të shëruar mendjen. Ka qenë shumë e vështirë për tu realizuar. Mbi 240 vepra piktorësh të famshëm botëror që erdhën në një format ndryshe nga çfarë është parë. Në një sipërfaqe projeksioni mbi 400 metra katrorë”, shprehet Raela Shabanaj.

Ju jeni të kënaqur nga reagimi i njerëzve?

“Shumë pozitiv. Njerëzit kërkuan madje siç ka qenë ideja fillestare që të kishte dhe vepra te fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. E patëm të vështirë sepse duhet të lëviznim për të marrë firmat e autorëve. Por për t’i sjellë Tiranës diçka ndryshe menduam ta bënim me vepra të autorëve botërorë që e kishim më të lehta.”

A shihni të mundshme realizimin e kësaj ekspozite me vepra të Galerisë Kombëtare të Arteve së shpejti?

“Do të ishte dëshira jonë. Mendimi im personal është që ka shumë vepra të bukura. Mbi 400 që do të doja që publiku shqiptar t’i njihte.”

Top Channel