Një ekspozitë plot ngjyra dhe tinguj jete, të fiksuara në telajo, është çelur në galerinë e arteve figurative të qytetit të Durrësit nga piktorja Shpresa Milaqi Bajko.

Përmes natyrave të qeta dhe peisazheve, artistja sjell në ekspozitën e saj një botë plot emocion dhe ngjyra që sfidojnë artistikisht ndjenjat negative dhe pasigurinë për jetën në këtë periudhë që jetojmë.

Shpresa Milaqi Bajko: Doja të sillja diccka më me dritë, më me jetë, sepse tani po e kuptojmë dhe vlerën e vërtetë të jetës. Tani po e ndalojmë atë vrapin që kishim marrë dhe po i kushtojmë rëndësi dhe kujdes jetës. Janë kryesisht punime në vaj dhe akuarel. Kam zgjedhur një temë më relaksuese, duke ia përshtatur sezonit të verës dhe pse nën pandemi. Doja diccka më të qeshur, me më shumë dritë e besoj ia kam arritur.

Nën titullin “Melodia e jetës”, ekspozita me afro 80 punime artistike në vaj, akuarel dhe grafikë sjell te artdashësit ritmin dhe fuqinë e ngjyrave të jetës që vazhdon, përtej fatkeqësisë natyrore dhe një virusi që ndali mbarë botën, po jo dashurinë për artin dhe të bukurën.

Shpresa Milaqi Bajko: Duke menduar periudhën e vështirë në të cilën jemi, mendova se do të kishte më pak njerëz artdashës, po pritja ishte shumë e mirë dhe rezultati shumë pozitiv. Vlerësimetishin pozitive, veçanërisht për pjesën e akuarelit që është dhe teknikë më e vështirë dhe që më pak përdoret, por unë e dashuroj.

Kriza ka mbërthyer edhe tregun e artit pamor, por Bajko thotë se nuk e ndjen atë, për aq kohë sa dashamirësit e pëlqejnë pikturën e saj.

Shpresa Milaqi Bajko: Është mirëpritur dhe janë piketuar shumë. Janë dhe po të njëjtët persona që kanë marrë disa herë dhe më vjen mirë, se tregon që puna, arti im pëlqehet dhe ata vazhdojnë të marrin përsëri.

Ekspozita “Melodia e jetës” do të qëndrojë e hapur deri më 16 gusht, duke ofruar kënaqësi artistike dhe për turistët që kanë zgjedhur Durrësin për pushimet e kësaj vere.

Top Channel