SHBA-ja e quan Iranin si “sponsorizuesin numër një në botë të terrorizmit”

07/08/2020 11:51

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara (OKB) e quajti Iranin “sponsorizuesin numër një në botë të terrorizmit”.

Javën e ardhshme, Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të hedhin në votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rezolutën për të zgjatur një embargo armësh kundër Iranit.

Ambasadorja, Kelly Craft, paralajmëroi gjithashtu Rusinë dhe Kinën se “do të bëhen bashkë-sponsorizues të Iranit” nëse përdorin veton e tyre për të bllokuar rezolutën.

Rusia dhe Kina kanë të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë që këto dy vende “do të kuptojnë rëndësinë e paqes në Lindjen e Mesme”, tha Craft.

Por, ajo shtoi se partneriteti midis Rusisë dhe Kinës është i qartë: “Ata thjesht duan të promovojnë kaos, konflikt dhe goditje jashtë kufijve të tyre, kështu që ne duhet t’i menjanojmë ata.”

Embargoja e armëve ndaj Iranit do të skadojë në tetor, prandaj Shtetet e Bashkuara janë duke u përpjekur që një zgjatje e afatit të saj, të ndodhë sa më shpejt.

Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Kinës kanë treguar se synojnë të vendosin veto ndaj rezolutës. Këto vende kanë qenë mjaft kritike për përpjekjet e SHBA-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u tha gazetarëve më 5 gusht se ka kombe që “rreshtohen” për të shitur armë në Iran dhe paralajmëroi se kjo do të destabilizojë më tej Lindjen e Mesme, do t’i vërë Izraelin dhe Evropën në rrezik dhe do të rrezikojë jetërat në SHBA.

Nëse Këshilli i Sigurimit nuk e pengon Iranin të blejë dhe të shesë armë kur embargoja të përfundojë, Uashingtoni ka thënë se do të shkaktojë një “kthim të shpejtë” të të gjitha sanksioneve të Kombeve të Bashkuara mbi Iranin.

Mekanizmi i kthimit të sanksioneve u përfshi në marrëveshjen e vitit 2015 mes Iranit dhe superfuqive botërore. Kjo marrëveshje siguroi lehtësimin e sanksioneve në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor.

Shtetet e Bashkuara braktisën marrëveshjen në vitin 2018 dhe vendosën sanksione ndaj Iranit. Si përgjigje, Irani gradualisht filloi të shkelë angazhimet e tij bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA