“Pandemia goditi rëndë ekonominë”/ Këshilli Mbikëqyrës i BSh vendosi të lerë të pandryshuar normën e interesit

05/08/2020 19:44

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se pandemia goditi rëndë ekonominë ne vend dhe se aktiviteti ekonomik ne vend pritet t’i kthehet rritjes në vitin 2021.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë progresivisht drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim, ndonëse rikuperimi pritet të jetë i ngadaltë dhe balanca e rreziqeve mbetet në kahun e poshtëm Inflacioni shënoi rritje të lehtë në tremujorin e dytë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 1.9%. Kjo ecuri u diktua nga rritja e kostove të prodhimit e të transportit, efekte këto të cilat dominuan mbi ndikimin rënës në inflacion që sjell tkurrja e kërkesës agregate. Po ashtu, rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020”.

Duke marrë ne analizë raportin 3 mujor, Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi qe te mbajë te pandryshuar normën e interesit.

“Kushtet aktuale monetare ofrojnë stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Megjithatë, përshkallëzimi i mëtejshëm i goditjes apo krijimi i vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, do të kërkonin rritjen e stimulit monetar. Pandemia ka sjellë një goditje të rëndë për ekonominë shqiptare, si në nivel makro ashtu dhe në nivel biznesesh e familjes individuale”.

Top Channel