Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e përkrah një dialog ku pjesë e tij nuk është ShBA-ja. Po ashtu AAK-ja nuk përkrah asnjë proces dialogues i cili mund të rrëshqet në dialog teknik. Partia e Ramush Haradinajt po ankohet në LDK-në edhe sa i përket emërimit të Koordinatorit shtetëror për dialog, i cili sipas tyre u bë pa asnjë konsultim paraprak me partnerët e koalicionit.

Selim Selimi nga kjo parti dhe njëherësh ministër i Drejtësisë, në një intervistë për KosovaPress, thotë se me fillimin e negociatave për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kërkesë e AAK-së ka qenë dialogu për njohje reciproke, në kufijtë ekzistues.

Gjatë ditës është raportuar se do të ketë takime mes kreut të LDK-së dhe të AAK-së, si shkak i përçarjeve mes koalicionit.

Për këtë Selimi thotë se nuk është i njoftuar, megjithatë thotë se shpreson se pavarësisht mospajtimeve rreth dialogut, nuk duhet të degradojë koalicioni.

Selimi: Nuk do të thotë që do të degradojë koalicioni

“Sigurisht kanë takime pasi që krerët e partive politike mbajnë kontakte, për shkak që janë titular, (a mund të jetë temë dialogu) mund të jetë edhe ajo temë nuk e di, mendoj që shanset me qenë ajo temë janë të mëdha. Kjo nuk do të thotë që do të degradoj koalicioni, mendoj që takimet e tilla do të duhej të mbaheshin edhe më herët edhe duhet të vazhdojnë të mbahen. Pasi liderët si titullar të këtij koalicioni duhet të jenë titullar edhe të çështjeve nacionale”, deklaron Selimi për KosovaPress.

Ndër të tjera Selimi thotë se nëse dialogu rrëshqet në atë teknik, AAK do të humbë besimin në këtë proces.

Selimi: Nëse rrëshqasim në dialog teknik, AAK humb besimin në dialog
“Nëse ne rrëshqasim në dialog teknik, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në tavolinë, atëherë ky dialog do ta humb besimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ne jemi partneri kryesor në koalicion. Ne duhet të jemi pjesë e këtij procesi. Emërimi i kryenegociatorit është bërë pa konsultim me neve dhe pa konsultim me partnerin tjetër të koalicionit. Emërimi i një kryenegociatori ka qenë sinjal se potencialisht ne jemi rikthyer në një dialog teknik. Dhe ky ka qenë edhe shqetësim që ia kemi shprehur kryeministrit Hoti. Dhe kemi qenë të zëshëm mediatikisht që këtë format të dialogut teknik të pafundme në Bruksel sa për fotografi, pa SHBA-të nuk është dialog”, shton ai për KosovaPress.

Selimi Selimi deklaron se janë stabil në qeveri, megjithatë sipas tij nuk hezitojnë që t’i shprehin pakënaqësitë që kanë në bashkëqeverisje. Sipas tij, LDK duhet të reflektojë sa karshi këtyre shqetësimeve.

Selimi: Dialogu nuk është duke shkuar siç kemi menduar

“Dialogu momentalisht nuk është duke shkuar ashtu siç ne kemi menduar që duhet të shkojë. Që të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës aty dhe të mos kemi dialog teknik… Ne jemi tërë kohën në kontakt dhe shqetësimet tona i kemi artikuluar edhe tek kryeministri por edhe te liderët. Dhe duhet të gjendet një zgjidhje në të cilën ne dakordohemi që do ta kemi marrëveshjen me Serbinë, dhe ajo marrëveshje duhet të jetë njohje reciproke me kufijtë ekzistues”, thekson ai.

Ndërkohë, që ai bën të ditur se ekziston rrezik i madh që Kosova pas 20 muajve pushim të bisedimeve me Serbinë, po shkon drejt dialogut teknik.

Selimi: Ekziston një rrezik i madh që jemi duke rrëshqitur në dialog teknik

“Dialogu ka rifilluar, por unë mendoj që ekziston një rrezik i madh që jemi duke rrëshqitur në dialog teknik. Dialog teknik ka pasur 20 vjet, ne kemi qenë të përkushtuar si shtet në atë dialog teknik, sepse ne kemi ratifikuar marrëveshje në kuvend dhe i kemi implementuar. Përderisa Serbia nuk ka marrë asnjë hap të respektimit të atyre marrëveshjeve dypalëshe të garantuara nga Bashkimi Evropian. Tejzgjatja e dialogut teknik dhe zgjatja e saj e pafund, ku ne dialogojmë me Serbinë e nuk merremi vesh fare është e rrezikshme. Andaj për neve si Aleancë është e rëndësishme të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe ruajtjen e sistemit unitar të shtetit tonë”, deklaron ai.

Për t’u arritur kjo, ministri i Drejtësisë thotë se kanë qenë të zëshëm që në tavolinë të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo largim i këtyre të fundit, sipas tij është humbje për Kosovën.

Top Channel